Klodian Braho nuk ka shumë gjëra për të korrigjuar në krye të SPAK. Bilanci i hetimeve të SPAK në drejtim të krimit të organizuar nën drejtimin e Altin Dumanit është një histori suksesi, falë edhe përgjimeve të ardhura nga Franca rreth aplikacioneve Sky. Po ashtu, beteja kundër korrupsionit ka prekur nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, duke i dhënë fund idesë së paprekshmërisë së politikës nga drejtësia.

Ajo që SPAK nën drejtimin e Dumanit konsolidoi si praktikë të keqe janë së paku tri gjëra.

E para, përdorimi i sekretit hetimor për gjyqe popullore që i paraprijnë fushatave të arrestimeve paraprake të zyrtarëve të lartë. Fushata të tilla, përveçse janë linçuese dhe të padrejta, kur dirigjohen nga vetë prokuroria, kthehen në mjete persekutimi të paligjshme ndaj të akuzuarve, duke justifikuar më pas cektësinë e hetimeve, hakmarrjet personale apo politike dhe mbi të gjitha për të justifikuar ndonjëherë mungesën e provave dhe fakteve që zëvendësohen me thashetheme popullore. Kjo është bërë jo vetëm ndaj zyrtarëve nën hetim apo nën akuzë, por dhe ndaj gazetarëve që kritikuan këto praktika, duke shkuar edhe një hap më tutje në cenimin e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Pika e dytë e dobët ka qenë strategjia politike e arrestimeve, dhe mungesa e standardeve dhe prioriteteve në punën e SPAK.

Kjo bëri që SPAK të mos krijonte standarde hetimi dhe gjykimi që do të shërbenin për të ardhmen si pika referimi, pasi krijoi një larmishmëri standartesh dhe precedentësh saqë tani në Shqipëri, me këto kritere që janë vendosur, mund të shqiptosh një emër dhe atë mund ta fusësh në burg.

Ka kryetarë bashkish të marrë të pandehur pse kanë bërë një rrugë fshati pa leje dhe kanë bërë një vit e gjysmë burg; ka të tjerë që merren të pandehur se kanë hequr një drejtor nga puna dhe të tjerë pse kanë marrë taksa nga një karburant që s’ka leje të rregullt ndërtimi; ka kryetarë bashkie në burg pse gruaja e tij që ka një OJQ ka donatorë tek OJQ-ja biznesmenë që ndërtojnë në kryeqytet, e kështu me radhë.

Kjo tregon që SPAK nuk ka vendosur standarde dhe prioritete për hetimin e korrupsionit, por ka gjuajtur persona dhe u ka gjetur fakte. Kjo është gjueti shtrigash, jo drejtësi. Dhe kjo duhet korrigjuar urgjent. Hetimet duhet të nisin nga prova dhe të shkojnë te njerëzit, jo nga njerëzit dhe emrat e veçantë të piketuar për t’u burgosur e pastaj të ilustrohet burgosja me prova. Shfryrjet e herëpashershme të vetë prokurorëve për persona të veçantë të arrestuar tregojnë se në shumë raste hetimet janë diktuar nga emri dhe jo nga prova.

I vetmi person që duhet të ishte dënuar nga opozita për vrasje të katër qytetarëve akoma nuk ka nisur gjyqin për atë çështje, ndërkohë që pas dy javësh mbushen 15 vjet nga një krim i bërë në sytë e gjithë botës dhe nga një shantazh mbi drejtësinë, që e kanë provuar vetë në shpinë po këta prokurorë, përfshirë dhe Dumanin që ishin atëherë prokurorë në Tiranë.

Pra tani ne kemi si standard të SPAK një kryeministër vrasës të lirë si Sali Berisha dhe një kryetar bashkie të tij si Bardh Spahiu që është i pandehur se ka hequr një drejtor nga puna. Kjo nuk është një strategji që vendos ligjshmëri, por gjueti. Dhe kjo duhet korrigjuar urgjent. SPAK duhet të vendosë prioritetet e tij, duhet të ndjekë provat dhe pastaj duhet të ngrejë akuza për personat. Deri tani qartazi është nisur nga personat. Madje edhe kur s’ka bërë një akuzë kanë bërë vetë letra anonime siç është rasti i Nesti Angonit.

E treta, që është dhe më e rëndë, SPAK duhet të heqë dorë nga shantazhet mbi gjykatat, qoftë përmes përgjimeve të paautorizuara, qoftë dhe për të diktuar vendime të tyre.

Fjala vjen, ka gati gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar një seancë model, në rastin e gazetarit Elton Qyno dhe rastin e një qytetareje që drejton një spital privat në Tiranë, që SPAK i ka rrëmbyer telefonin dhe duke “peshkuar” në telefonin e saj ka gjetur biseda për të cilat ka nisur hetime, madje dhe përgjime.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në seancë që SPAK e ka të ndaluar këtë praktikë. Pra, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ia ka ndaluar SPAK-ut të nisë hetime duke mbledhur telefona pa objekt konkret dhe pa vendim gjykate për çfarë duhet të lexojë në telefon.

Vendimi ka gjashtë muaj që nuk zbardhet, pasi implikon vetë SPAK-un dhe punën e tij të paligjshme. Nuk zbardhet pasi ka presion direkt nga SPAK të mos zbardhet, edhe pse vendimi është marrë. Është një vendim që është në frymën e çdo vendimi të drejtësisë evropiane për këtë çështje dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar.

I vetmi lëshim i paligjshëm që i është bërë SPAK-ut nga Reforma në Drejtësi është e drejta e tyre për të përgjuar gjykatësit e GJKKO-s pa autorizim dhe kjo natyrisht i tremb ata. Por në rastin e Gjykatës Kushtetuese ky presion për të mos zbardhur çështjen është një çështje penale më vete, për të mos shkuar pastaj tek përgjimi i paligjshëm edhe i një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Po të shtojmë këtu dhe vetë dosjen “Toyota Yaris” që është përdorur për të mbajtur nën presion prokurorë të SPAK dhe gjykatës të GJKKO, rezulton se shumë praktika arrogante të SPAK burojnë nga shantazhe antiligjore dhe luftë jo e ndershme në përdorimin e ligjit jo vetëm kundër të pandehurve por dhe kundër njëri-tjetrit brenda sistemit të drejtësisë.

Drejtuesi i ri i SPAK duhet t’u japë fund këtyre praktikave dhe të avancojë arritjet më të mira të SPAK dhe Altin Dumanit. Kjo jo vetëm që krijon siguri më të madhe juridike për të gjitha subjektet e SPAK, por krijon dhe një raport normal me politikën duke mos e kthyer betejën ligjore të SPAK në një kacafytje politike me të./TEMA