Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se të gjitha strukturat e ministrisë, së bashku me bordet e kullimit dhe shërbimin veterinar, janë angazhuar në terren për evakuimin e bagëtive të rrezikuara nga përmbytjet, me qëllim parandalimin e dëmeve në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Gjatë monitorimit të situatës në urën e Mifolit, në Fier, ministri informoi se në disa raste banorët nuk kanë pranuar evakuimin, ndaj ndërhyrja po realizohet në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile.

Në këtë qark, Bordi i Kullimit është në terren me 16 ekskavatorë, duke kryer ndërhyrje për riparimin e argjinaturave dhe për parandalimin e përmbytjeve të mëtejshme.

Ministri Salla bëri me dije se hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë dhe se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar mbrojtjen e banorëve, pronave dhe aktivitetit bujqësor. Paralelisht, ekipet e ministrisë dhe të bashkive po evidentojnë dëmet e shkaktuara në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë, me qëllim mbështetjen e familjeve të prekura me dëmshpërblim.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe të bashkëpunojnë gjatë procesit të evakuimit, ndërsa ekipet në terren do të vijojnë punën deri në normalizimin e plotë të situatës.