Veç të tjerash, Sali Berisha me prezencën e tij të fundit në Strasburg, i paftuar i i palejuar të flasë, i ka bërë një dëm kolateral Partisë Demokratike.

Nëse PD-ja e kupton se çfarë i ka ndodhur, më mirë për të; e nëse nuk dëshiron ta kuptojë, më keq për të.

Historikisht Partia Demokratike ka pasur prezencën e saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asnjëherë nuk ka qenë kryetari i saj, por gjithmonë një deputetë nga radhët e saj, i cili ka përçuar mesazhin e partisë në këtë insitucion të rëndësishëm.

Mirëpo, në kushtet ku ndodhet PD-ja dhe kryesisht kreu i saj Berisha, dëshira për t’u dukur si i ‘begenisur’ dhe i mirëpritur nga institucionet evropiane, e ekspozoi vetë Berishën përballë një turp dhe një skandali të vërtetë.

Së pari, prej ditësh u përfol në media se Berisha nuk ka një ftesë dhe nuk është pjesë e delegacionit të Shqipërisë, por ka vajt atje i paftuar dhe i pakontaktuar prej askujt.

Së dyti, prej ditësh Berisha dilte në korridorin e Asamblesë Parlamentare dhe fliste ‘me vete’, i filmuar nga Albana, sikur i drejtohej liderve dhe politikanëve prezent të KiE-së.

Ndërkohë që sot, e gjithë kjo lojë e shëmtuar doli zbuluar, ku vetë Asambeja Parlamentare publikoi pamjet e seanave live, në të cilën shfaqej Berisha duke folur (në vend të Albana Vokshit, e cila nuk kishte një vend për t’u ulur, por i qëndronte atij në këmbë anësh), të cilit iu ndërpre fjala që në minutën e parë, për shkakun se kishte dalë jashtë teme dhe nuk ishin ato që ai artikulonte pjesë e diskutimit.

Pra, e gjihtë ajo që ka ‘shitur’ PD-ja, zyra e shtypit dhe vetë ai në këto ditë, si fjalime, diskutime apo denoncime, jo vetëm që nuk kanë ndodhur vërtetë, por edhe kur Berisha ka tentuar t’i realizojë nuk i është dhënë fjala dhe nuk është lejuar.

Është e kuptueshme që Berishën në këtë moshë të shtyrë që është e ka çuar halli të bëjë nga këto gjëra, madje ai është i ‘justifikuari’ i madh, se helbete, kur ke halle si ato të atij, të ‘lejohet’ gjithçka.

Por që Partia Demokratike, zyrtarët dhe mbështetësit e saj, të shohin këto skena (tanimë jo si ‘manipulime’ mediatike, por si pamje ‘me zë dhe figurë’) dhe të mos kenë asnjë reagim dhe asnjë reflektim, nuk është vetëm në turpin e tyre, por është shumë më e madhe se kaq: është vetasgjësuese.

Në kushtet ku ndodhet vendi, me skandale të mëdha qeveritare, me një Prokurori të Posaçme që është mjaft ‘agresive’ ndaj pushtetit, e vetmja gjë që do t’i vinte në ndihmë Partisë Demokratike dhe opozitës do të ishte mbështetja ndërkombëtare, do të ishte një vesh që t’i dëgjonte dhe një arbitër që të ndante ‘shapin nga sheqeri’.

Fakti që sot opozita dhe PD-ja nuk e ka këtë mbështetje dhe kur sheh shfaqje të tilla të turpshme dhe poshtëruese, pyetja që shtrohet është: Kush (dhe pse) e solli opozitën dhe PD-në në këtë gjendje?/TEMA