Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit Fitim Makashi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se u nda nga jeta një yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Gonxhja tha se Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

“Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta. Fitim Makashi, aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt. Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë: “Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”. U prehtë në paqe.”, shkruan Gonxhja.