Nga Namir Lapardhaja

Ky vit i sapo nisur le të mos jetë thjesht një ndërrim datash në kalendar, por një provë e asaj se çfarë zgjedhim të jemi. Jo një vit i zhurmshëm premtimesh, por një vit i qartë zgjedhjesh.

Le të jetë vit i dashurisë mbi urrejtjen, sepse urrejtja lodh dhe shter, ndërsa dashuria rindërton edhe aty ku gjithçka duket e djegur. Vit i qetësisë mbi zhurmën, sepse në heshtje dëgjohet më mirë e vërteta. Vit i shpirtit mbi stomakun, ku nevojat e brendshme të mos mbeten peng i oreksit për më shumë.

Le të jetë vit i virtyteve mbi veset, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i përuljes mbi arrogancën që na ndan dhe na bën të verbër ndaj tjetrit. Vit i ndihmës mbi nëpërkëmbjen, sepse askush nuk ngrihet duke shtypur të tjerët. Vit i individit mbi turmën, ku mendimi personal të mos shkrihet në britmën kolektive.

Le të jetë vit i urtësisë mbi prepotencën, i arsyes mbi verbërinë, i reales mbi virtualen që shpesh na largon nga jeta e vërtetë. Vit i dijes mbi injorancën, i ecjes mbi ngecjen, sepse çdo hap përpara, sado i vogël, është një fitore ndaj apatisë.

Le të jetë vit i faljes, jo i hakmarrjes; i kërkesave të ndershme, jo i harresave të qëllimshme. Vit i dielltë, jo i mbuluar me re; i bardhë në synime, jo i zi në mendime; vit i gëzimeve që ndahen, jo i hidhërimeve që grumbullohen.

Dhe mbi të gjitha, le të jetë një vit i mbushur me të mira, i rrethuar nga njerëz që mendojnë mirë, që bëjnë mirë, që përpiqen vetëm për mirë. Sepse ajo që ngelet nga urimi nuk janl fjalët e shkruara me ngut, por ajo që zgjedhim të bëjmë në përditshmëri me ndërgjegje.