Si mund të ndiqet dhe të interpretohet një president që, brenda një viti, ka publikuar më shumë se 6 mijë postime në rrjetet sociale, ka mbajtur mbi 430 dalje publike për shtyp dhe ka zhvilluar konferenca të lira që zgjasin deri në dy orë? Zyra e stenografëve të Shtëpisë së Bardhë ka përllogaritur se ka transkriptuar rreth 2.4 milionë fjalë të Donald Trump, katër herë më shumë se gjatësia e romanit “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit.

Ndjekja e Trumpit nuk është një sfidë vetëm për gazetarët e lodhur, por edhe për diplomatët, të cilët kanë për detyrë të gjejnë sinjalin mes një zhurme të pandërprerë deklaratash, postimesh dhe improvizimesh.

Diplomatët perëndimorë kanë përforcuar ndjeshëm strukturat e monitorimit mediatik për t’u përshtatur me stilin e Trump, i cili mund të shpallë një vendim me pasoja globale ose të sulmojë një aleat në çdo moment të ciklit 24-orësh të lajmeve. Ministritë e Jashtme duhet tashmë të ndjekin jo vetëm deklaratat zyrtare, por edhe mesazhet private të drejtuesve të tyre që mund të shfaqen papritur në Truth Social.