Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e kësaj të diele, në 18 janar, një bashkëbisedim me qytetarët dhe simpatizantët e tij në zonën e Kombinatit në Tiranë.

“Sot jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme në betejat e saj të opozitës shqiptare. Unë jam i vetëdijshëm se ju, me të drejtë, jeni të dëshpëruar, jeni të lodhur, të mërzitur.

Një opozitë e pamerituar 13-vjeçare është stërmunduese. Jam i vetëdijshëm se armiku që ne kemi përballë nuk respekton asnjë rregull. Por, nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë se ne së bashku, sot, jemi në prag të përmbushjes së misionit tonë historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, apo diktatura autokratike, e cila në shumë aspekte ka shkatërruar dhe dëmtuar qenien shqiptare më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e këtij vendi”, tha Berisha.

Në të njëjtën kohë që Berisha po zhvillon foltoren në Kombinat, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po zhvillon një takim paralel me demokratët e Lezhës.
“Entuziazmi i demokratëve të Lezhës tregon se ‘Është kry kjo punë’, kjo lëvizje është në rrugën e duhur!”, deklaroi Salianji gjatë këtij takimi.