Nga Mero Baze

Sali Berisha po përballet me refuzimin e tri partive të vogla të përfaqësuara në Kuvend në zgjedhjet e fundit, ndërkohë që ai kërkon të caktojë një datë për protestën e radhës në muajin shkurt. Nuk është se nëse ata do të pranojnë ftesën e Berishës do shtohen më shumë njerëz në protestë. Sa për sfond, Berisha i ka disa kryetarë që s’kanë parti, por vetëm vula, dhe mund t’i përdorë ata.

Problemi real që ka Berisha nuk është refuzimi i disa partive të reja, që kanë të gjithë të drejtën e tyre të qëndrojnë larg Berishës, pasi janë në parlament vetëm se u distancuan nga ai. Problemi i Berishës është se ai është përçarësi më i madh i historisë së opozitës në Shqipëri.

Ftesa e tij për opozitarët e rinj bëhet në një kohë kur ai po vazhdon të përçajë PD-në, kur deklaron se Salianji ka “shkelur vijat e kuqe” dhe “është i vetëpërjashtuar”. Dhe Salianji mbush sallat më shumë se Berisha ndërkohë.

Pra, një njeri që nuk mban dot të bashkuar atë PD që i ka mbetur pas përjashtimeve që ndodhin çdo vit, një njeri që nuk prodhon dot entuziazëm brenda PD-së, këtë lojën që do të marrë aleatët për të kompensuar armiqtë e brendshëm në PD e ka edhe më false.

Objektivi final i Berishës nuk është të bashkojë opozitën, por të mbajë me çdo kusht kreun e PD-së, qoftë dhe duke e përçarë atë çdo vit. Atij i duhet deomos të jetë në krye të PD-së dhe ata që i përjashton nga PD-ja pastaj është i gatshëm t’i ftojë si aleatë për të bashkëpunuar, pasi nuk ia rrezikojnë më karrierën. Dhe Salianjin, nëse e zbon nga partia dhe ai formon parti tjetër, është i gatshëm ta ftojë përsëri në tryeza, me kusht që të mos i ngatërrohet nëpër këmbë brenda në PD.

Pra, nëse ka një armik të vërtetë, bashkimi i opozitës është Sali Berisha. Ai është arsyeja përse janë krijuar dhjetëra parti të reja, qofshin këto të suksesshme apo jo, dhe mbi të gjitha kjo është arsyeja që PD-ja ngjan si një parti në funeral edhe kur bën mitingje, pasi edhe pse bëjnë sikur do rrëzojnë Ramën, të gjithë e kanë mendjen se çfarë do bëjnë me të vdekurin e tyre në krye të partisë.

Duke qenë se ai gjeneron çdo vit grupe armiqësore nga PD-ja, dhe është motivi përse disa të rinj duan të krijojnë partitë e tyre jashtë tij, ai mund ta bashkojë opozitën vetëm duke u larguar në shtëpi. Prania e tij në krye të PD-së, në krye të tryezave, në krye të protestave apo foltoreve, është arsyeja kryesore pse ato dështojnë.

Ndaj nuk ka kurrfarë alibie dështimi i protestës së radhës me refuzimin e partive të reja që janë në Kuvend për t’u bashkuar me të. Ato as e rrisin dhe as e pakësojnë sheshin. Ato janë shenja që rritin apo pakësojnë optimizmin për bashkimin e opozitës, duke na bërë të gjithëve të kujtojmë se arsyeja përse opozita nuk bëhet bashkë është Sali Berisha. Dhe një njeri që çdo ditë përjashton, largon dhe kërcënon çdokënd që i rrezikon pushtetin e tij në PD, nuk mund të bëjë bashkë dhe as ka çfarë i duhen ata që janë në opozitë për arsye të ndryshme nga Berisha.

Përpara se të kërkojë dorën e tyre, ai duhet t’i shtrijë dorën çdokujt në PD dhe t’i hapë rrugë bashkimit të PD-së duke u larguar vetë nga drejtimi i saj. Të tjerët vijnë vetë, s’ka nevojë t’i thërrasë ai, kur shikojnë që PD-ja nuk lufton për të ruajtur pushtetin e Berishës, por për t’i marrë pushtetin Ramës.