Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se është i gatshëm të marrë armët për të “mbrojtur atdheun”, duke reaguar ashpër ndaj precedentit të krijuar nga arrestimi i presidentit venezuelas Nicolás Maduro nga forcat amerikane.
Në një deklaratë publike me tone të forta politike dhe simbolike, Petro shprehu bindjen se populli kolumbian do ta mbronte atë, nëse Shtetet e Bashkuara do të tentonin një veprim të ngjashëm ndaj tij.
“Nëse ata ndalojnë një president që një pjesë e madhe e popullit tim e do dhe e respekton, atëherë do të zgjojnë jaguarin e popullit”, u shpreh Petro.
Deklarata e presidentit kolumbian vjen në një moment tensionesh të larta rajonale, pas arrestimit të Nicolás Madurós në Karakas dhe transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara, një operacion që ka shkaktuar reagime të forta politike në Amerikën Latine dhe më gjerë.
Petro, ish-guerrilas dhe figurë e majtë e politikës kolumbiane, e ka ndërtuar diskursin e tij mbi sovranitetin kombëtar, anti-imperializmin dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, duke e parë ndërhyrjen amerikane në Venezuelë si një precedent të rrezikshëm për rajonin.
Analistët vërejnë se përdorimi i metaforës së “jaguarit” – një simbol i fuqishëm në kulturën indigjene dhe në diskursin politik të Petros – synon të nënvizojë reagimin popullor dhe rezistencën kolektive, në rast se cenohet sovraniteti i Kolumbisë.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit kolumbian. Megjithatë, deklarata e Petros pritet të ndikojë në marrëdhëniet diplomatike mes Bogotás dhe Washingtonit, në një periudhë tashmë të ndjeshme për stabilitetin politik në Amerikën Latine.




















