Kur forcat amerikane kryen operacionin ushtarak në Caracas, nuk arrestuan vetëm presidentin Nicolás Maduro, të cilin e dërguan drejt e në New York, por morën edhe gruan e tij.

69-vjeçarja Cilia Flores është parë prej kohësh si një prej figurave më të fuqishme në Venezuelë, një operatore politike që prej dekadash ka formësuar pasuritë e vendit.

Pas disa viteve në drejtim të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, ajo ndihmoi në konsolidimin e forcimit të pushtetit të të shoqit pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të 2013.

Si Zonjë e Parë, ajo u quajt “Luftëtarja e Parë” nga Maduro.

Por në atë rol ajo qëndroi e tërhequr publikisht duke paraqitur një fytyrë më të orientuar nga familja në atë qe kritikët e quajnë regjim brutal.

Ajo prezantoi edhe një program televiziv “Con Cilia en Familia” dhe shfaqej herë pas here në televizionin shtetëror për të kërcyer salsa me të shoqin.

Në prapaskenë, mendohet të ketë qenë një nga këshilltaret kyçe të Maduro dhe një arkitekte e mbijetesës së tij politike.

Flores është përballur me akuza për korrupsion e nepotizëm dhe në vitet e fundit familjarët e saj janë shpallur fajtorë nga gjykatat amerikane për kontrabandë kokaine.

Tani ajo do të dalë para gjykatës në New York krah të shoqit për akuzat e lidhura me trafikimin e drogës dhe posedimin e armëve