Nga Alba Malltezi/

Në të gjitha fotot dhe pamjet e publikuara nga 21 janari i 2011, ato përlejshje që janë fiksuar tashmë në videot dhe në memorien tonë, janë mes disa protestuesve dhe policisë, e cila është e rreshtuar me mburoja dhe skafandra në mbrojtje të godinës së kryeministrisë. Garda, e vendosur brenda godinës së kryeministrisë në një farë mënyre sheh situatën nga larg, në distancë, ashtu si disa gazetarë e ndoqën nga dy kullat në Bulevard, nga ana tjetër e rrugës.

Kur ndodhin vrasjet, protestuesit janë rralluar së tepërmi para godinës së qeverisë, nuk ka tashmë asnjë sulm, asnjë “karikim” masiv siç njihet në termin e këtyre protestave. Madje edhe policët me skafandra, nga pamjet, duket që janë tërhequr, duke treguar që komandantët e tyre nuk shikonin më asnjë rrezik real për një sulm ose një ‘’pushtim’’ të godinës kryeministrore. Ndonjë protestues qëllon ende ndonjë gur dhe të tjerët janë më shumë si vëzhgues të një eventi që po shkonte drejt fundit. Ndonjëri prej tyre ishte me duar në xhepa, si ata burrat që ndalojnë e qëndrojnë të shohin punimet në ndonjë ndërtim, një tjetër, i moshuar e me flokë të bardhë bën thirrje madje edhe te mos qëllojnë më me gurë. I largon nga kangjellat.

Po si shpjegohet që pikërisht në këtë moment, ndërsa protestuesit duken qartazi të rralluar, Garda e Republikës qëllon në mish duke vrarë katër persona dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë? Cili ishte motivi i “urrjetjes” apo i “rrezikut” për Gardën që të shkaktonte viktima? Kemi parë në protesta europiane ku kanë ndodhur viktima, për shembull në Genova në Itali, ku një djalë humbi jetën mes protestuesve. Përvoja tregon që vrasjet kanë ndodhur në të shumtën e rasteve si një keqmenaxhim i momentit, si një incident dhe një ekzagjerim i përdorimit të armës nga një efektiv i forcave të rendit. Madje shpesh herë vrasjet në këto rrethana janë cilësuar si një vetëmbrojtje e tepruar nga ana e forcave të policisë, që, për të shpëtuar veten kanë qëlluar ndaj protestuesve.

Po Garda jonë, me 21 janar 2011? Duke parë qartazi pamjet kuptohet se nuk kishte asnjë arsye logjike dhe fizike që të qëllonte. Ata ishin shumë të mbrojtur brenda godinës të kryeministrisë, shumë larg nga protetsuesit e fundit. Pra nuk rrezikonin asgjë. Atëherë pyetja është: Duke mos pasur një motiv, kush e nxiti Gardën e Republikës për të vrarë shqiptarë në Bulevard, e duke plagosur deri edhe gazetarë?

Ish-kryeministri Sali Berisha, i dyshuari kryesor në nxitjen e vrasjeve, sot nxorri një tjetër version, duke treguar se mund të tallet sa të dojë dhe si të dojë me Drejtësinë e vjetër, me Drejtësinë e re, me gazetarët, me familjet e viktimave, duke i ndryshuar versionet e tij nga viti në vit. Tani pretendon që Garda qëlloi për të shpëtuar jetën e kryeministrit, që në fakt ishte mbyllur brenda zyrës së tij në kushtet e sigurisë maksimale. Ai vazhdon të gënjejë lirisht. Në fund të fundit a nuk u rreshtuan në krah të Berishës prokurorë e ekspertë, gazetarë e mjekë, analistë e politikanë që e mbrojtën dhe e mbrojnë përballë daljes të së vërtetës?

Drejtësia e re duhet të kishte vendosur pikat mbi “i” për Gërdecin dhe 21 janarin 2011, duhet të tregonte se është ndryshe nga ata që renditëm pak më sipër; fakti që nuk po e bën ende këtë, tregon se edhe ajo ka frikë nga politikani më i dhunshëm dhe i vetmi që urdhëroi vrasje shqiptarësh në Shqipëri.