Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestat masive që prej dy javësh po zhvillohen në Teheran dhe në qytete të tjera të Iranit, duke i cilësuar ato si një kryengritje të fuqishme popullore kundër regjimit teokratik të ajetullahëve.

Në deklaratën e saj, PD thekson se populli iranian është ngritur kundër asaj që e quan një regjim obskurantist dhe diktatorial, ndërsa rolin udhëheqës në këto protesta e atribuon Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, të cilën e përshkruan si opozitën më të fuqishme që prej dekadash lufton për një Iran të lirë dhe demokratik.

“Kryengritësit iranianë drejt fitores mbi diktaturën teokratike të Teheranit.
Prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit, populli iranian është ngritur në protesta të fuqishme kundër regjimit obskurantist të ajetullahëve. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, opozita më e fuqishme e popullit iranian që lufton prej dekadash për një Iran të lirë dhe demokratik, po udhëheq këtë kryengritje të fuqishme. Në disa qytete të vendit pushteti është në duart e kryengritësve. Ajetullahët kanë marrë mercenarë nga vende të tjera. Garda Islamike dhe mercenarët kanë hapur zjarr kundër protestuesve dhe deri sot janë mbi 44 martirë të rënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit të tyre.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar ajetullahët: “Mos qëlloni, se do t’ju qëllojmë.”

PDSh, duke dënuar me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin shtetëror të regjimit diktatorial obskurantist të Teheranit ndaj kryengritësve, ju uron kryengritësve trima fitoren për një Iran të lirë, demokratik dhe sovran”, thuhet ne deklaraten zyrtare te PD.