Nga Ergys Mërtiri

Viti i Ri është një festë që lind në modernitet dhe nuk regjistrohet të jetë festuar masivisht në shoqëritë e mëparshme. Arsyet mund të jenë të shumta, por mendoj se një prej tyre ka të bëjë me natyrën e shoqërive të sotme, të dominuara nga sasiorja, sipërfaqësorja, materialja. Në botën e sasiores, sundon një rend i ndërtuar nga racionaliteti, i cili ia nënshtron gjithçka kategorizimeve dhe përllogaritjeve. Moderniteti racionalizon kohën dhe hapësirën, çfarë i bën ato, më shumë objekte përllogaritjesh se përjetimesh.

Në këtë kuptim festimi i Vitit të Ri shenjon triumfin e kalendarit si instrument i sundimit mbi kohën dhe vetë jetën e njeriut. Koha e përjetuar në mënyrë kalendarike iu jep magji stacioneve nëpërmjet të cilave ajo bëhet e perceptueshme, e matshme dhe e sundueshme. Momentet e përmbushjeve ciklike, marrin vetvetiu tipare mistike, në një botë krejt imanente të zhveshur nga misticizmi, spiritualiteti dhe transedenca. Për këtë arsye, diçka që në thelb duket krejt pa kuptim, – të festosh përmbushjen e një cikli kalendarik, – merr kuptim në një botë të zhveshur nga kuptimsia.

Viti i ri është një festë që, në vetvete, nuk lidhet me asgjë kontrete. Njerëzit festojnë pa ndonjë arsye reale dhe madje as që e kërkojnë një të tillë. Festojnë thjesht ardhjen e vitit të ri. Në një farë mënyrë ajo çfarë festohet është vetë koha në vetvete dhe jo ndonjë objekt në të, një lloj ditëlindje e botës, e përcaktuar thjesht në mënyrë konvencionale, në kushtet kur bota nuk e ka dhe nuk mund ta ketë një ditëlindje.

Interesante është që e gjithë kjo duket sikur përforcohet nga vetë historia. 1 janari është një datë në të cilën historia nuk para ndalet të na tregojë diçka, qoftë kjo ndonjë ngjarje apo moment zhvillimi që duhet kujtuar apo mbajtur mend. Duket sikur në këtë datë nuk ka ndodhur kurrë asgjë, përveç shenjuesit kalendarik, që në një moment të caktuar fillon të festohet, ashtu kot, pa pasur nevojë të dimë pse dhe si.

Por këtu krijohet një tjetër paradoks. Të festosh kohën, në një farë mënyre do të thotë të festosh rrjedhjen e saj, asgjësimin e asaj çfarë është me shpresën tek ajo çfarë vjen. Ne festojmë vitin që vjen paçka se kjo shoqërohet me ikjen e vitit që është, çfarë logjikisht do të duhej që, më shumë se gëzim, të sillte trishtim. Por paradoksi bëhet normal në një botë ku e ardhmja është në vetvete një kult. Duke u dhënë pas së ardhmes njeriu modern shpërfill faktin e ikjes së viteve, çfarë bën të mundur harresën e faktit që koha jonë ka një afat dhe çdo vit i ri na sjell më pranë fundit. Përkundër kësaj Viti i Ri festohet si një triumf i pavdekësisë, si përjetësim i çastit.

Mishërimi i dy paradokseve gjendet në formën e vet anekdotike në parimin rinor të të festuarit sipas formulës: Deri në 12 me të shpisë, pastaj me shoqninë. E shkuara dhe e ardhmja, e vjetra dhe e reja, kujtesa dhe harresa, shpirti dhe trupi përplasen këtu në mënyrë krejt të pafajshme dhe të pavetëdijshme në dy fytyrat e një gostie të ndarë përgjysëm në mënyrë kontrastuale. Grahmat e fundit të vitit të vjetër festohen në mënyrë familjare, të përmbajtur, pranë njerëzve më të dashur ndërsa, në orët e para të vitit të ri fillon festa e vërtetë, e shfrenuar jashtë shtëpisë dhe ngrohtësisë familjare, në temperaturat më të ndezura të harbimit. Nën bataret e fishekzjarreve kur ora shënon 00.00 thyhen dy botë që përblasen me njëra-tjetrën në një shoqëri ku kultura që ka në qendër familjen sa vjen dobësohet.

Gjithçka bëhet e mundur falë kulturës së konsumit dhe industrisë së saj të harresës dhe të mosmenduarit që ka përmbysur gjithçka. Nëse festat në vetvete kanë për natyrë përkujtimin (që lidhet me vlerat dhe solidaritetin shoqëror) festat komerciale përkundrazi simulojnë harresën në një procesion të kremtimit të pakuptimsisë. Gëzimi nuk lidhet me ndonjë objekt, por bëhet shkak i vetvetes dhe qëllim në vetvete. Në fakt, këtu gëzimi konvertohet në dëfrim, një prej kulteve të rëndësishme të kulturës së harresës. Rrjedhimisht, të festuarit barazohet me të dëfryerit, çfarë e zbret gëzimin në truallin e zbrazët të materiales.

Përtej të gjithave, Viti i ri mbetet një ngasje që na imponon të bëjmë diçka ndryshe, qoftë edhe në vetë refuzimin e tij si festë. Ndoshta vetë natyra ciklike e kohës (përkundër kohës lineare që imponon moderniteti), godet vetëdijen tonë me gurë kilometrikë, nëpërmjet të cilëve ne masim distancat tona nga objektet me të cilat shenjojmë të ardhmen (qofshin këto plane, pritshmëri apo sprova dhe frikëra), por edhe objekte të së shkuarës (ngjarje, kujtime, gëzime e hidhërime). Për pasojë, kjo festë mund të vlejë paradoksalisht edhe për të kundërtën, si një moment reflektimi mbi çfarë jemi, çfarë bëjmë e ku po shkojmë.

Nga kjo premisë kremtimi i pritjes së një viti të ri, i çveshur nga babëzia dhe hutia konsumiste, mund të na shpjerë në bregun e kundër të një bote si kjo të zbrazur nga transedenca. Ajo mund të bëhet paradoksalisht një mjet për tu shkyçur sadopak nga imanenca jonë drejt një përvoje mistike mbi kohën dhe nevojës shpirtërore për ankorim tek përjetësia.

Na mbetet kështu veç të urojmë një vit të mbarë ku gjithësekush të gjejë veten dhe gëzimin e vërtetë!