Qindra njerëz dolën në rrugët e qytetit juglindor iranian të Zahedanit të premten, ndërsa protestat antiqeveritare hynë në ditën e tyre të 13-të.
Qyteti, ku shumica e popullsisë është sunite, ka qenë një fokus kryesor i protestave për ditë të tëra. Në protesta marrin pjesë kryesisht anëtarë të grupit etnik Baluç, ndërsa u mbajt edhe një tubim i grave. Pamjet video të protestës tregonin thirrje të tilla si “Nga Zahedani për të gjithë Iranin, jap jetën time për Iranin” dhe “Kjo është beteja e fundit, Pahlavi do të kthehet”, në një referencë të qartë për Reza Pahlavi, djalin e shahut të fundit të Iranit, i cili po mbështet protestat nga mërgimi në Shtetet e Bashkuara.
Sipas faqes së internetit për të drejtat e beluçëve, Haalvsh, forcat iraniane të sigurisë hapën zjarr ndaj disa protestuesve, duke plagosur disa prej tyre. Të shtënat thuhet se ndodhën pranë Xhamisë Maki, ku protestuesit fillimisht ishin mbledhur për lutje përpara se të marshonin nëpër rrugët e qytetit.
Në të njëjtën kohë, regjimi iranian ka vendosur një ndërprerje të gjerë të internetit në pjesën më të madhe të vendit. Si rezultat, shumica e pamjeve nga protestat e sotme duken të turbullta në një përpjekje për të mbrojtur identitetin e pjesëmarrësve.
Komisioneri i Lartë i OKB -së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, bëri thirrje të martën për një hetim të shpejtë dhe të pavarur mbi vdekjet gjatë ditëve të protestave që kanë tronditur Iranin.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportet për dhunë gjatë protestave kombëtare të Iranit gjatë 13 ditëve të fundit, duke përfshirë vdekjet dhe shkatërrimin e pronës”, tha ai në një deklaratë, duke bërë thirrje për respektimin e të drejtës së qytetarëve për të demonstruar në mënyrë paqësore, e cila është “e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare”.
“Duhet të kryhet një hetim i shpejtë, i pavarur dhe transparent. Ata që janë përgjegjës për shkeljet e të drejtave duhet të mbahen përgjegjës në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.
Turk shprehu gjithashtu shqetësim për mbylljen e internetit në vend. “Veprime të tilla dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion, dhe ndikojnë në punën e atyre që dokumentojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe aksesin në shërbimet thelbësore dhe të emergjencës ”, këmbënguli ai.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi sot se vendi i tij “nuk do të tërhiqet” përballë një vale në rritje mospajtimesh që përbën një sfidë serioze për Republikën Islamike të themeluar në vitin 1979.
Organizatat joqeveritare akuzuan autoritetet për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve, duke vrarë dhjetëra njerëz që nga fillimi i demonstratave më 28 dhjetor.










