Nga Jakin Marena

Ftesa e presidentit amerikan Donald Trump për kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, për të qënë pjesë e Bordit të Paqes të themeluar prej tij, jo vetëm që ka destabilizuar kreun demokrat Sali Berishën por ka dekurajuar rëndë PD-në si dhe tërë opozitën shqiptare!

Ndonëse Rama mungoi me ‘lejen’ e vetë Trump në hedhjen e firmës në Davos, për të bërë mikpritësin për vajzën e preferuar të presidentit amerikan, Ivanka Trump, publikimi këtë javë në adresën zyrtare të Trump të postimit për ‘Bordin e Paqes’, përmes të cilit presidenti amerikan shprehet se “mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, ndërsa grafika shoqëruese përmban simbole shtetërore dhe flamurin shqiptar, me sa duket i ka dhënë fund teorive konspirative me të cilat Berisha, bashkëpunëtorët e panelistët e tij, mbajnë me gajret PD e opozitën se, Edi Rama është në ‘kilometrin e fundit’ të largimit të tij nga pushteti, me ndihmën e SHBA-ve!

Aq më tepër që kreu i PD, duke qënë se e njeh mirë ‘lojën’ diplomatike, e di si dreqi se Rama, maksimumi në fillim të pranverës, do të jetë në Shtëpinë e Bardhë ku në prezencë të presidentit Trump do të firmosë zyrtarisht pjesëmarrjen në ‘Bordin e Paqes’, si përfaqësues i Shqipërisë, madje teksa ka marrë edhe votat e deputetëve të PD e të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe është pajisur me autorizimin e Presidentit, për të firmosur në emër të vendit tonë!

Duke shtuar këtu dhe vizitën e suksesshme të Ramës në Izrael, pritja e veçantë që iu bë kreut të qeverisë shqiptare nga ana e homologut të tij Netanyahu, aq më tepër me fjalimin historik të tij në parlamentin izraelit, janë të rrallë ata që mbajnë fjalën në Knesset dhe i fundit ishte presidenti amerikan Trump, tregon qartë se kredecialet diplomatike të Edi Ramës me udhëheqësit më të rëndësishëm botërorë, pra me dominuesit e ‘shahut politik’ në botë, janë tepër të larta!

Teksa Berisha dhe të tijtë ishin nën trysninë e këtyre zhvillimeve politike, aspak ngushëlluese për PD dhe opozitën, si dhe faktit që deklaratat e forta të Berishës dhe mbështetësve të tij në protestën e 24 janarit para kryeministrisë se “Rama është në kilometrin e fundit politik’ nuk po merren aspak seriozisht nga askush, madje po përcillen me ironi, Berisha zgjodhi që të lëvizë me urgjencë jashtë vendit! Si gjithnjë kur është ngushtë e s’ka çfarë të thotë para mbështetësve të tij!

Vizita këtë radhë e Berishës në Strasburg, si anëtar zëvendësues në delegacionin e parlamentit shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, na kujton kohën studentore, teksa për mungesë financash në atë kohë të vështirë kur komunizmi po jepte shpirt dhe mungesat ishin gjithandej, shfrytëzohej në mensën studentore vetëm një ‘latë’ për t’u ushqyer dy vetë! Pra shfrytëzohej vetëm bursa e njërit student, nëse kishe fatin të kishe të afërm me bursë shteti!

Kështu dhe Berisha, në vizitën e tij të fundit në Strasburg! Ai ka shkuar privatisht, pasi zyrtarisht PD përfaqësohej edhe këtë herë, si zakonisht, nga deputetja Albana Vokshi. Urdhëri i firmosur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, tregonte qartë se pjesë e delegacionit shqiptar janë vetëm kryetarja e delegacionit Olta Xhaçka, anëtaret Ogerta Manastirliu, Iris Luarasi e Albana Vokshi, si dhe sekretari i delegacionit dhe stafi mbështetës teknik. Atyre u paguhen shpenzimet!

Por Berisha udhëtoi me Vokshin privatisht si ‘paketë’, mori pjesë në disa takime po privatisht, herë duke zëvendësuar deputeten e tij dhe herë duke u vërtitur korridoreve, nën filmimin e Vokshit, një histori kjo që po na rikthen shumë mbrapsht në kohë, në përpjekjet e politikanëve shqiptarë në shekullin e kaluar, për t’i zënë pritë ndonjë zyurtari të lartë të huaj, sa për një foto, që ta paraqiste për konsum të brendshëm politik në Shqipëri!

Berisha, për fatin e tij të keq, por dhe për fatin e mirë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, jo vetëm që nuk mbajti asnjë fjalim zyrtar për të derdhur lumin e akuzave ndaj vendit të vet, në atë procesin e nxirjes së Shqipërisë para botës duke e paraqitur si një ‘narkoshtet’, një akuzë e tërthortë dhe ndaj SHBA, BE dhe Britanisë sipas të cilës vendet demokratike po mbështesin të akuzuarin e madh të tij, Edi Ramën si ‘kryeministrin e narkoshtetit’, por nuk arriti të takojë gjatë tre ditësve asnjë zyrtar sado minor në Strasburg me të cilin të bënte një foto! Kanë nisur t’i ikin me vrap Berishës! Madje dhe ta poshtërojnë, kur nuk arrijnë ta shmangin me të mirë!

Për herë të parë në këto ‘inkursionet’ private të Berishës në Strasburg, ai nuk ka arritur të kapë për të mbajur fjalim para tij kundër Ramës, asnjë eurodeputet, qoftë dhe të Partive Popullore Evropiane, ku PD bën pjesë si anëtare vëzhguese. Duke ia ndërprerë dhe kufizuar lumin e akuzave dhe nxirjes së Shqipërisë në sytë e botës vetëm koridoreve, tashmë që vërtetë Shqipëria është në metrat e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Europian! E thonë vetë në BE këtë!

Madje Berisha, është lejuar të flasë vetëm dy minuta në Strasburg, ndonëse koha e parashikuar për ndërhyrjet e folësve është zakonisht më shumë 3 minuta. Ndërprerja erdhi pasi Berisha doli nga tema e debatit dhe e zhvendosi fjalën drejt akuzave politike për situatën në Shqipëri. Kreu i PD si gjithnjë, e cilësoi situatën në Shqipëri si “krizë zgjedhore”, duke vënë në dyshim lirinë e zgjedhjeve dhe duke i përshkruar ato si “farsë”. Ai akuzoi ‘shtetin-parti’ e ‘narkoshtetin’ për deformimin e procesit zgjedhor, duke pretenduar se krimi dhe droga kthehen në vota, të cilat më pas shndërrohen në favore politike e ekonomike e përdoren për të bllokuar drejtësinë.

Berisha në vijim përmendi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, duke e akuzuar atë se ka penguar veprimet e prokurorisë lidhur me masat ndaj zv.kryeministres, si edhe duke e përfshirë në akuza që lidhen me çështje të tjera institucionale. Por pikërisht në këtë moment ‘ekstaze’ të Berishës, Presidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i ndërpreu fjalën dhe ia kaloi diskutimin folësit pasardhës, duke vënë në dukje se Berisha kishte dalë nga tema e parashikuar e debatit.

“Faleminderit shumë. Mikrofoni gjithashtu është i fikur, nuk ka më përkthim. Faleminderit shumë. Para se të kalojmë te zoti Laszlo Veche, sepse ai kishte një listë tjetër, por tani mund ta marrë dhe ai është gati. Ju lutem, e keni fjalën”, është shprehur drejtuesja e seancës në Asamblenë e KiE. Teksa i ndërpreu fjalën kreut të, PD Berisha, i cili gjithsesi vijoi të ngrejë zërin e të flasë pa mikrofon, sië është mësuar në Shqipëri, me Vokshin në krah, të cilës i lexohej tronditja në fytyrë! Dhe vetëm kur drejtuesja e seancës pa në cepin e sallës nga forcat e sigurisë, që kërkonin një tundje koke për të ndërhyrë, Berisha ndaloi së mfoluri dhe u tërhoq! Në fakt ishte poshtërim për Berishën, dhe për hir të së vërtetës ne në ato ndërhyrje dhe prerje fjalë pamë tragjedinë e PD, e cila është peng nën kthetrat e këtij të moshuari, i cili ka veëndosur ta marrë me vete në amëshim partinë më të madhe opozitare!

Por Berisha nuk ndalet në realitetin e tij paralel! As ndërprerja e fjalës në Strasburg nuk e ka penguar që ndërhyrjen e tij ta përdorë për konsum të brendshëm politik. Kjo shpjegon dhe faktin se pamjet që Berisha i transmetonte nga holli i takimit në Asamblenë e KiE, filmoheshin nga Albana Vokshi, për të treguar se e kishin lënë të fliste në takimin e brendshëm. Pa menduar se ndërprerja poshtëruese e fjalës së Berishës në KiE do të ‘pushtonte’ mediat shqiptare!

Por ndërprerja e fjalës në Strasburg tregon se Berishës përfundimisht ia kanë hequr ‘vizën’ edhe europarlamentarët e PPE, aleatët e djathtë të PD që dominojnë Asamblenë Parlamentare të KiE, që e kanë mbështetur këtë parti në mënyrë të vazhdueshme! Duke treguar qartë se vetë ai, si kryetar i PD dhe opozitës, nuk është në ‘kilometrat e fundit’ por është në ‘metrat e fundit’ të karrierës së tij politike, si faktor relevant politik në Shqipëri! Faktor në luftën për vendin e dytë në ‘rang-listën’ e partive politike në Shqipëri, të kuptohemi, përballë Shehajt, Lapajt e Qorit, pa përjashtuar Lul Bashën! Pasi vendin e parë, atë të mundësisë së marrjes në dorë të qeverisjes së vendit përmes fitores në zgjedhje e ka qarë me kohë dhe vakt, pa asnjë shpresë për të ardhmen, sa kohë që në krye të PD të jetë ai, i rikthyeri nga pensionimi politik, vetë Sali Berisha!
Për këtë dramë janë bindur dhe vetë demokratët, të cilët nuk besojnë tek Berisha as për këto skenaret e ardhjes së ‘delta-forcës’ amerikane me helikopterë për të rrëmbyer Ramën në Surrel e për ta burgosur në SHBA, as në këto teoritë e ‘ringjalljes’ së çështjes “McGonigal’, ku jo vetëm që janë mbyllur hetimet në Amerikë, por është dhënë me kohë e vakt dënimi për ish zyrtarin e FBI për mosdeklarimin e 223 mijë dollarëve të marrë borxh nga miku dhe kolegu i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja (janë një qime … këto para, edhe sikur t’ia kishin falur miqtë e tij të FBI jo t’ia kishin dhënë borxh, krahasuar me lobimin miliona dollarësh të Berishës në Uashington për një vizë dhe heqjen e ‘non gratës’, para të shkuara dëm këto), dhe ku Edi Rama nuk ekziston në asnjë cep të dosjes si person nën hetim nga drejtësia amerikane! Nën ‘hetim’ është vetëm në mendjen e Berishës, të mbështetësve të tij, përfshirë dhe Gaz Bardhin brenda!

Ndërkohë që Berisha në Shqipëri ka lënë demokratët të dëshpëruar dhe të dekurajuar rëndë, nga pamundësia për të qënë një alternativë për të ardhur në pushtet, as pas mandatit të katërt rresht të qeverisjes nga PS dhe Edi Rama! Nuk po shohin Ramën në ‘kilometrin e fundit’. Përkundrazi po shohin Berishën dhe PD në ‘metrat e fundit’, si një parti e udhëhequr nga lider që vetëm ‘firo’ në vota shënon nga zgjedhjet në zgjedhje! Duke mos arritur dot as në nivelin e drejtimit të Bashës, të cilin Berisha e rrëzoi nga drejtimi i demokratëve, pasi Luli tentoi të bënte si kryetar i PD! ‘Preku’ aty ku Berisha nuk mban fare, në pronësinë e PD, pronën e Berishajve mbi këtë parti!

Berisha dhe opozita kështu do të vazhdojnë! Duke kapur ‘kauzat’ e çastit, duke evidentuar të gjitha lëvizjet nëpër botë, nga Bangladeshi e Nepali, te Beogradi, Venezuela e vendet afrikane, duke gëzuar për këto protesta masive dhe duke krijuar përçasje përmes realitetit të tij paralel me situatën në Shqipëri, ‘kilometrin e fundit’ të Ramës dhe fantazi të tjera të këtij lloji! Thjeshtë e vetëm për të shtyrë kohën, për të kapur prillin e rizgjedhjes në krye të PD, me votat ‘teknikisht të pastra’ të anëtarësisë së ‘filtruar’ nga kupola mbështetëse në listat e anëtarësisë së PD! Për të mundur Salianjin me një fjalë, ky është qëllimi i jetës i Berishës. Siç bëri me Bashën!

Prandaj themi se ftesa e Trump për Ramën si pjesë e Bordit të Paqes, takimet e kryeministrit shqiptar me vajzën e tij të preferuar Ivanka e dhëndrin Jared Kushner, këshilltarin më të afërt të tij për krizat më të rënda në glob, që nga Rusi-Ukrainë e Lindjen e Mesme e deri në Groenlandë e Venezuelë, vizita e suksesshme e Ramës në Izrael dhe ajo e pritshmja në Shtëpinë e Bardhë, e kanë destabilizuar rëndë Berishën dhe opozitën, tashmë në ‘metrat e fundit’! Prandaj themi që në PD ka një dekurajim të fortë, ka një dramë që vijon dhe thellohet nga dita në ditë!