REDAKSIONALE LEXO.AL

Në një shoqëri që ende përpiqet të çlirohet nga trashëgimia e një politike agresive, nga anarkia e një lirie të keqkuptuar dhe nga përdorimi i pushtetit si instrument hakmarrjeje, drejtësia mbetet institucioni mbi të cilin projektohen pritshmëritë më të larta publike. Dhe jo pa të drejtë. Ajo është kolona e fundit mbi të cilën mbështetet besimi se shteti funksionon jo sipas forcës, por sipas ligjit.

Në një sistem demokratik, një gjyqtar apo magjistrat duhet të jetë gjithmonë subjekt kritikash. Por këto kritika, për të qenë legjitime, duhet të jenë institucionale, profesionale dhe të ndershme, kritika që synojnë korrigjimin e devijimeve të sistemit, jo asgjësimin apo rrënimin e autoritetit të tij.

Ajo që po ndodh sot me gjyqtaren Irena Gjoka nuk ka asnjë lidhje me këtë standard. Nuk është kritikë ndaj drejtësisë, por përpjekje për ta nënshtruar atë. Sulmi brutal, i personalizuar dhe i qëllimshëm ndaj saj nuk është debat juridik. Është hakmarrje politike e pastër, e ndërtuar përmes shantazhit informativ dhe presionit publik mbi institucionet e qeverisjes së gjyqësorit. Një metodë e vjetër, e njohur mirë në historinë politike shqiptare: ku nuk goditet vendimi, por magjistrati; ku nuk sfidohet ligji, por personi; ku nuk kërkohet debat, por krijohet frikë për të prodhuar nënshtrim. Sulmet ndaj gjyqtares Gjoka, të intensifikuara pas vendimit për masën e sigurimit ndaj kryetarit të opozitës Sali Berisha, nuk kanë asnjë lidhje me ligjin.

Ato janë shprehje e një hakmarrjeje personale, e cila sot po përqafohet dhe po amplifikohet nga e gjithë opozita, përfshirë drejtuesin e saj parlamentar, në një presion të hapur dhe publik ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, me synimin që ky institucion të veprojë jo sipas Kushtetutës dhe ligjit, por sipas interesave politike. Boshti i gjithë kësaj fushate është një vendim i një gjykate greke i vitit 2005, i paraqitur qëllimisht në publik si “dënim penal”, por që juridikisht nuk e ka pasur kurrë këtë status. Ai është një vendim i shkallës së parë, i dhënë në mungesë, pa dijeni dhe pa mbrojtje efektive për gjyqtaren Gjoka. Vendimi nuk i është njoftuar kurrë asaj, për rrjedhojë nuk ka marrë formë të prerë dhe nuk ka hyrë asnjëherë në fazë ekzekutimi. Për këtë arsye, ai nuk është ekzekutuar nga shteti grek, nuk është regjistruar në regjistrin penal dhe është arkivuar me ligj për shkak të parashkrimit ligjorë. Efektet juridike të këtij arkivimi, sipas vetë legjislacionit grek dhe interpretimit të Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë të barasvlershme me shfajësimin. Pra, ajo që sot paraqitet artificialisht si “dënim penal”, në rendin juridik të shtetit që e ka nxjerrë, konsiderohet një vendim i paqenë.

Ky nuk është opinion politik dhe as interpretim partiak. Janë akte zyrtare të shtetit helen, të konfirmuara nga autoritetet e tij dhe të interpretuara qartazi nga jurisprudenca evropiane. Megjithatë, vetëm opozita shqiptare e lexon këtë realitet përmes filtrit politik të liderit të saj, duke e quajtur një vendim të paqenë “dënim” dhe duke e përdorur si pretekst për të kërkuar shkarkimin e një magjistrateje në detyrë. Ky është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik dhe presion institucional. Disa pretendojnë se, pavarësisht formës juridike, një gjyqtare duhet të kishte qenë “më transparente”. Por transparenca nuk është detyrim për të panjohurën. Ajo presupozon dije, jo supozim; fakte juridike ekzistuese, jo akte juridikisht të paqena dhe të paekzekutueshme.

Si mund të akuzohet një magjistrate për “deklarim të rremë” në formularin e dekriminalizimit për një rrethanë për të cilën ajo nuk ka pasur dijeni, që nuk i është njoftuar kurrë dhe për të cilën nuk ka pasur asnjë mundësi objektive të merrte dijeni, kur vetë shteti i huaj, duke e arkivuar çështjen si juridikisht të paqenë, ia ka pamundësuar aktivisht çdo njohje të saj? Në çdo shtet që ka një minimum serioziteti institucional, akuza të tilla do të konsideroheshin juridikisht të pavlefshme.

Një gjyqtar shkarkohet vetëm në dy raste: kur është dënuar me vendim penal të formës së prerë; ose kur provohet një shkelje disiplinore aktuale, e rëndë dhe jo e parashkruar. Në rastin konkret, asnjë nga këto kushte nuk ekziston. Nuk ka vendim penal përfundimtar, nuk ka njohje të ndonjë vendimi të huaj, nuk ka shkelje disiplinore të provuar dhe nuk ka as juridiksion kohor për hetim, pasi faktet e pretenduara i përkasin më shumë se dy dekadave më parë. Kështu që çështja nuk është ligji dhe as ndonjë shkelje e tij nga gjyqtarja Gjoka. Çështja është precedenti që tentohet të krijohet: që drejtësia të ndëshkohet sa herë guxon të prekë politikën e vjetër. Mesazhi është qartësisht i nënkuptuar: kush guxon të prekë Sali Berishën, ka pasoja. Ky është shantazh politik ndaj drejtësisë, jo kundër një individi. Sot, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ndodhet përballë një emri, por përballë një prove. Ai nuk thirret të gjykojë një gjyqtare, por të përcaktojë nëse drejtësia shqiptare do të mbrohet si pushtet i pavarur, apo do të pranojë të gjykohet përmes syzeve politike që dikur e rrënuan dhe e shantazhuan deri në nënshtrim.