Rritja e interesit të të rinjve për uniformën dhe shërbimin ndaj atdheut po konfirmohet nga të dhënat më të fundit mbi rekrutimet në Forcat e Armatosura. Sipas statistikave zyrtare, vihet re një prirje e qëndrueshme pozitive në marrëdhënien mes rinisë dhe institucionit të mbrojtjes.

Autoritetet bëjnë me dije se rritja e pagave, forcimi i shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimi i dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit dhe motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Këto politika kanë dhënë rezultate konkrete. Vetëm gjatë Fazës I të rekrutimeve për vitin 2026 janë regjistruar 343 aplikime, duke reflektuar vijimësinë e trendit pozitiv të vitit 2025 dhe një interes në rritje për shërbimin aktiv.

Forcat e Armatosura vijojnë investimet jo vetëm në rritjen numerike, por edhe në cilësinë e komponentit aktiv, përmes përgatitjes profesionale, përmirësimit të mirëqenies dhe garantimit të një perspektive afatgjatë për personelin. Ky zhvillim konsiderohet një tregues i rëndësishëm i forcimit të rolit të Forcave të Armatosura në shërbim të sigurisë kombëtare.