Nga Baton Haxhiu

E lexova Kartën e Bordit të Paqes siç lexohet një dokument funerali, pa retorikë dhe pa iluzione. Jo sepse shpall luftë, por sepse shpall mbylljen e një epoke.

Në pak faqe, delegjitimohet OKB-ja si rend moral dhe institucional dhe shpallet e vjetruar ideja se paqja ndërtohet përmes rregullave, barazisë dhe durimit.

Ajo që zë vend nuk është reforma, por zëvendësimi. Jo përmirësimi i botës liberal-demokratike, por shpallja e pafuqisë së saj përballë një kohe që kërkon forcë, vendim të shpejtë dhe autoritet të përqendruar.

Karta e Bordit të Paqes lexohet jo si një dokument formal diplomatik, por si një manifest i heshtur kundër rendit ndërkombëtar që njohim prej vitit 1945.

Nuk është një tekst reformues, por një akt zëvendësimi. Nuk flet për korrigjimin e OKB-së, por për delegjitimimin e saj. Me një gjuhë të ftohtë, pragmatike dhe gati cinike, kjo Kartë shpall se institucionet globale kanë dështuar dhe se paqja mund të menaxhohet më mirë nga pak duar, më shpejt, me më pak procedura dhe me më shumë autoritet të përqendruar.

Ky draft delegjitimon aftësinë e OKB-së ashtu si dikur Lidhjen e Kombeve, e cila nuk kishte legjitimitet të shtrirë dhe as forcë morale për të ndaluar rrëshqitjen drejt katastrofës.

Që në parathënie, Karta e Bordit të Paqes e shpall rendin ekzistues si të dështuar, jo thjesht të ngadaltë apo të reformueshëm, por moralisht të konsumuar. Ky është konteksti nga i cili duhet lexuar dokumenti. Dhe jo si një reformë institucionale, por si një akt zëvendësimi.

Vdekja e multilateralizmit
Karta e OKB-së u ndërtua mbi një ide themelore morale, se paqja nuk mund të jetë pronë e një shteti, një lideri apo një grupi fituesish, por rezultat i një marrëveshjeje të gjerë mes shteteve sovrane ose sovraniteteve të barabarta. Edhe me të gjitha mangësitë e saj, OKB-ja mbetet një përpjekje për ta ndarë barrën e përgjegjësisë morale.

Bordi i Paqes e braktis këtë parim. Ai e zhvendos qendrën e legjitimitetit nga konsensusi në një ftesë nga Presidenti. Kjo tregon se po shkohet nga barazia në përzgjedhje dhe nga norma ndërkombëtare në vendim personal.

Politikisht kjo është dhe ka premisa të forta për efikasitet.

Moralisht, është një kthim te ideja se paqja mund të administrohet nga pak duar “më të afta”, jo nga një bashkësi e barabartë shtetesh.

Donald Trump dhe kriza morale e autoritetit të OKB
Në Kartën e OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm është figurë morale dhe diplomatike, jo burim sovraniteti. Ai nuk e përfaqëson të vërtetën absolute, por procesin.

Në Kartën e Bordit të Paqes, Kryetari është gjithçka. Bën ftesë, vendos veto, interpretim, është pasardhësi i vetes dhe shpërbërësi i institucionit.

Kjo krijon jo vetëm një problem juridik të ndarjes së pushteteve, por një problem moral të autoritetit absolut.

Historia ndërkombëtare e ka mësuar me kosto të lartë se paqja e ndërtuar mbi vullnet personal është gjithmonë e përkohshme dhe shpesh e padrejtë për ata që nuk janë pjesë e tavolinës. Dhe mund të duhet ose reformë serioze të OKB, ose krijim të organizmave ndërkombëtar të ri përveç Bordit të Paqes.

OKB-ja e ka ndarë qëllimisht kontributin financiar nga pesha politike, pikërisht për të ruajtur një minimum barazie morale mes shteteve. Karta e Bordit të Paqes e thyen këtë kufi.

Kur një shtet mund të blejë mandat të pakufizuar përmes kontributit financiar, paqja shndërrohet në produkt, jo në përgjegjësi etike. Kjo krijon një rend ku vendimmarrja nuk udhëhiqet nga drejtësia apo nevoja e viktimave të konfliktit, por nga kapaciteti për të paguar.

Moralisht, kjo e zhvendos pyetjen nga “çfarë është e drejtë” te “kush e financon zgjidhjen”.

Mungesa e mekanizmave të drejtësisë
OKB-ja, sado e ngadaltë, e ka vendosur drejtësinë ndërkombëtare si ideal: Gjykata Ndërkombëtare, procedura, rezoluta, precedentë. Bordi i Paqes nuk parashikon asnjë mekanizëm të pavarur arbitrazhi apo gjykimi.

Kryetari është interpretuesi final. Konfliktet zgjidhen “miqësisht”. Kjo nuk është paqe në kuptimin moral, por menaxhim i përkohshëm i mosmarrëveshjeve. Pa drejtësi, paqja është vetëm pauzë midis dy krizave.

OKB-ja u ndërtua si institucion i përhershëm, sepse paqja kërkon durim, kujtesë dhe vazhdimësi. Bordi i Paqes parashikon shpërbërje periodike, rinovim sipas vullnetit të Kryetarit, ekzistencë të kushtëzuar.

Kjo i jep paqes një karakter taktik, jo etik. Një organizatë që mund të zhduket çdo dy vjet nuk ndërton besim afatgjatë te popujt që jetojnë në konflikt.

Në mënyrë paradoksale, duke e delegjitimuar OKB-në, ky draft i afrohet modelit të Lidhjes së Kombeve që ishte një organizatë me ambicie morale, por pa legjitimitet të gjerë dhe pa arkitekturë që e mbijeton vullnetin e fuqive të momentit. Lidhja e Kombeve dështoi jo sepse fliste për paqe, por sepse nuk kishte as autoritet të qëndrueshëm, as përfshirje universale.

Bordi i Paqes që do të themelohet më 22 janar në Davos rrezikon të dështojë për arsyen e kundërt: Sepse ka shumë autoritet në pak duar dhe shumë pak përfshirje morale.

Në thelb, ky dokument nuk është vetëm sfidë juridike ndaj Kartës së OKB-së, por sfidë morale ndaj idesë së paqes si përgjegjësi kolektive. Amerika e Trump propozon një botë ku paqja prodhohet nga vendime të shpejta, jo nga marrëveshje të drejta dhe nga liderë të fuqishëm, jo nga institucione të durueshme të OKB.

Nëse OKB-ja është rendi i papërsosur i një bote që kërkoi të mësonte nga lufta totale, Bordi i Paqes është shenja e një bote të lodhur nga procedurat dhe e gatshme ta zëvendësojë moralin me efikasitetin.

Pyetja nuk është nëse ky model do të funksionojë përkohësisht, por çfarë çmimi moral do të paguhet kur paqja ndahet nga drejtësia.

Në fund, ajo që më trondit më shumë nuk është arkitektura juridike e këtij dokumenti, por ndjesia se po lexoj aktin e fundit të një bote në të cilën kam besuar. Unë vij nga një kulturë politike liberale, nga ideja se institucionet, sado të papërsosura, janë më të drejta se vullneti i fortë i individit, se rregullat janë më të qëndrueshme se liderët dhe se paqja nuk mund të jetë pronë e të fuqishmëve.

Por ajo botë po mbyllet para syve tanë.

Ajo që kam lexuar, mësuar dhe mbrojtur për dekada po zbehet. Po kthehet epoka e shteteve të forta, e liderëve që nuk kërkojnë leje morale, por paqe si marrëveshje force dhe jo si rend i drejtësisë.

Ky dokument nuk është vetëm një Kartë. Është certifikatë epoke. Dhe ndoshta, pa e thënë me zë të lartë, na thotë se edhe ne, njerëzit e botës liberale, po dalim gradualisht nga historia aktive dhe po mbetemi dëshmitarë të një bote që nuk na pyet më çfarë besojmë, por vetëm sa fuqi kemi.