Ish deputeti Ervin Salianji ka denoncuar atë që ai e ka cilësuar një farsë zgjedhore, procesin e zgjedhjes së strukturave në degën e PD në Himarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se është takuar me sekretarin, dy ish kryetarët e degës, , ish-kandidaten për Bashkinë dhe drejtuesin e ish-të përndjekurve politikë.
Salianji tha se është e papranueshme që kreu i PD, Sali Berisha të shkatërrojë garat brenda partisë.
Sipas tij, ajo që ndodh në Himarë është e papranueshme për çdo demokrat që beson te parimet dhe te vota e lirë.
“Partia Demokratike duhet të jetë modeli i epërsisë morale përballë qeverisë. Nëse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë shkretuar Shqipërinë përmes keqqeverisjes, është e papranueshme që lidershipi që sot drejton demokratët të shkatërrojë garat, të pilotojë kryetarë pa pyetur anëtarësinë dhe, aq më keq, ta përjashtojë anëtarët dhe drejtuesit e strukturave nga vendimmarrja.
Sot isha në Himarë, së bashku me sekretarin e degës, dy ish-kryetarët e degës, ish-kandidaten për Bashkinë dhe drejtuesin e ish-të përndjekurve politikë, për të dëgjuar shqetësimet reale të demokratëve lidhur me farsën që është zhvilluar në këtë degë. Ajo që po ndodh në Himarë është e papranueshme për çdo demokrat që beson te parimet dhe te vota e lirë. Demokratët vendosin. Demokratët duhet të dëgjohen.
Ata janë pronarët e Partisë Demokratike dhe sakrifikuesit më të mëdhenj përballë regjimit. Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale; pa demokraci të brendshme, nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve.”, theksoi ai.




















