Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Sara Mila, në kuadër të turit rajonal “EUth Balkans – Regional Youth Consultation Tour”, ka qenë e ftuar në Preshevë, ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë e kësaj komune.

Në fokus të diskutimeve ishte përfshirja e tyre në proceset e vendimmarrjes, fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe shfrytëzimin e mekanizmave evropianë për zhvillim të qëndrueshëm. Si një shembull për të rinjtë, veçanërisht për vajzat që kanë ambicie të angazhohen në politikë, deputetja Mila ndau përvojën personale në rrugëtimin e saj politik duke vënë në dukje se angazhimi si deputete lidhet edhe me mbështetjen e brezit të ri.

“Njerëzit patën besimin që një vajzë e re, një format i ri, një njeri i thjeshtë që ka shumë dëshirë dhe ka një lloji energjie dhe çiltërsie mund të jetë shumë më mirë se xhaketat e vjetra. Ajo çfarë dua të arrij në këtë 4 vjeçarin timin të parë si deputete, është dëshira dhe angazhimi për t’u dhënë një dorë të rinjve, sidomos vajzave të reja, sepse e di që udhëtimi im në politikë nuk ka qenë perfekt, por e di që nuk ka qenë dhe shumë i vështirë apo i pamundur”, theksoi ajo.

Deputetja Mila e shoqëruar edhe nga Gjergji Ogreni, ekspert komunikimi me fokus tek çështjet e të rinjve dhe Ernest Hasani, ekspert i fondeve të BE-së për projektet, vuri theksoi se
shkëmbimi i ideve dhe përvojave mes të rinjve nga rajoni është thelbësor për të ardhmen e përbashkët. Gjatë takimit, ajo hodhi edhe idenë e organizimit të një samiti të të rinjve të Ballkanit Perëndimor.
“Unë kam shumë dëshirë që siç jemi këtu t’ju shoh dhe në Tiranë, në Elbasan e në çdo qytet ku do shkojmë, ku jemi duke menduar dhe planifikuar që në fund të këtij dialogu dhe turi të madh të mund të bëjmë një samit të mirëfilltë të të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe të mund të arrijme në të shkruar të disa marrëveshjeve, iniciativa që të jenë të realizueshme që sot”, deklaroi Mila.

Në kuadër të zgjerimit të kesaj nisme deputetja Mila u takua edhe me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku vëmendje e veçantë iu kushtua krijimit të mundësive konkrete për të rinjtë e Komunës së Preshevës, si dhe rolit të tyre në ndërtimin e politikave publike.