Ernest Muçi po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Trabzonsporin, me sulmuesin e kombëtares shqiptare që po shfaqet në një formë të shkëlqyer me 10 gola dhe 3 asistet në 19 ndeshje. Në një intervistë të dhënë për Trabzonspor Magazine, Muçi ka treguar sekretin e kësaj forme dhe bëhet fjalë pikërisht për trajnerin e skuadrës Fatih Tekke.
‘Ndiej qartë mbështetjen e trajnerit tonë Fatih dhe kjo më jep shumë besim. Falënderoj si trajnerin ashtu edhe klubin që më besuan, më zgjodhën dhe më mbështetën. Ky besim reflektohet drejtpërdrejt në fushë-tha Ernest Muçi-Jo çdo trajner u jep lojtarëve të tij këtë liri. Por trajneri ynë krijon hapësirë veçanërisht për lojtarët sulmues që të përdorin kreativitetin e tyre. Kjo e bën lojtarin të ndihet shumë më mirë si psikologjikisht ashtu edhe në aspektin futbollistik. Bëhesh më i guximshëm dhe më produktiv në fushë’
Muçi shtoi se tashmë i është dhënë kjo mundësi të cilën ai po përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum.
‘Të qenit këtu është një mundësi e rëndësishme për mua dhe po përpiqem ta shfrytëzoj sa më shumë. Duhet ta kthesh mbështetjen që të jep klubi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe unë po përpiqem ta bëj këtë’-deklaroi Ernest Muçi.




















