Nga Hermes Kafexhiu

Shqipëria, e përshkruar shpesh si perlë e Mesdheut, një destinacion që pret miliona turistë çdo vit dhe që investon miliarda për imazhin e saj, ka ndërtuar një rekord tjetër. Jo një rekord që ta mburrësh, por një emblemë alarmante të shkeljes së të drejtave themelore, një nga normat më të larta të paraburgimit në Evropë.

Jo më larg se sot vetë ministri përpara përfaqësusve të Këshillit të Europës tha se Shqipëria ka rritjen më të madhe të paraburgimit në Europë.

Statistikat flasin më qartë se çdo retorikë. Rreth gjysma e të burgosurve shqiptarë janë ende pa vendim të formës së prerë. Ky nivel e vendos Shqipërinë në krye të listave negative të Evropës, shumë përtej mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.

Problemi nuk është thjesht numerik. Ai flet për një kulturë gjyqësore ku paraburgimi përdoret si zgjidhje rutinë dhe jo si mjet ekstrem i fundit. Vendimet për paraburgim shpesh mbështeten në fraza të përgjithshme, pa një motivim të detajuar që të justifikojë masën ekstreme ndaj individit.

Në vendet e Bashkimit Europian, paraburgimi është përjashtim, mjet i fundit. Në Shqipëri, ai është rregull. Gjykatësit dhe prokurorët e përdorin si një mënyrë të sigurt për të menaxhuar procedurat, shpesh duke lënë pas dore prezumimin e pafajësisë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjes shtetërore.

Pasojat janë të rënda. Privimi i lirisë para gjykimit shndërrohet në dënim të përhershëm para gjyqit. Koha që një person kalon në paraburgim shpesh tejkalon kohën që do të merrte një dënim të dhënë pas gjykimit. Ky sistem jo vetëm shkel të drejtat e individit, por dobëson edhe efektivitetin e drejtësisë.

Në sytë e komunitetit ndërkombëtar, situata është shqetësuese. Shqipëria është vëzhguar për shkallën e lartë të paraburgimit, trajtimin e ashpër dhe kushtet e vështira në institucionet e ndalimit. Ky është një realitet që nuk mund të fshihet pas deklaratave politike apo imazhit turistik.

Paradoksi është i qartë, Shqipëria promovon lirinë dhe bukuritë e saj për turistët, por brenda mureve të burgjeve kufizon lirinë e qytetarëve të vet. Ajo pretendon të jetë pjesë e familjes europiane, ndërkohë që praktika e saj gjyqësore trajton paraburgimin si rregull, jo si mjet të jashtëzakonshëm.

Koha nuk pret. Reforma në drejtësi dhe ndryshimi i kulturës gjyqësore janë urgjente. Shqipëria duhet të vendosë alternativa ndaj paraburgimit, të respektojë prezumimin e pafajësisë dhe të trajtojë lirinë si parim themelor, dhe jo si luks të dhënë me kursim. Nëse jo tani, kur? Nëse jo ne, kush?