Nga Adriatik Doçi
Ç’është e vërteta, gjatë 13 viteve të revolucionit paqësor, karakterizuar nga vistër gënjeshtrash, protestash-synetlliqe, lobime, blofe dhe alibi, Sali Berisha ka fituar të paktën shtatë beteja të rëndësishme.
Së pari, ka fituar betejën kundër Lulzim Bashës, të cilin e emëroi vetë si administrator të partisë në korrik të vitit 2013, e rimandatoi në 2017 dhe mandej në 2021, gjithnjë duke vjedhur votat e rivalëve të tij, siç edhe ka deklaruar Edi Paloka.
Së dyti, ka fituar betejën me pasurinë. Kur doli në opozitë në 2013, kishte 10 pasuri të paluajtshme, me vlerë disa milionë euro, gjithnjë në emrin e familjarëve. Sot ka rreth 60 pasuri të paluajtshme, përfshirë 40 apartamente dhe vila, me vlerë dhjetëra milionë euro, pjesërisht e sekustruar nga SPAK si produkt i aferave korruptive.
Së treti, ka fituar betejën me paratë e pista. Për gjashtë milionë euro për të hequr damkën nongrata, 2-3 milionë euro për Latifin, miliona euro për foltoret I dhe II, protesta, fushata etj., nuk ka asnjë dokument justifikues dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.
Së katërti, ka fituar betejën me oligarkët. Të ashtuquajturit oligarkë, të cilët deri në dhjetor 2021 paguanin kuotat mujore tek kunati i Bashës, tashmë prej tre vitesh paguaj haraç një nga një tek Shkëlzeni, disa prej të cilëve edhe në rrugë banakre, pra me fatura.
Së pesti, po fiton betejën me Tik Lapajn dhe Ervin Salianjin, ndaj të parit me protesta si ajo e 24 janarit, ndërsa ndaj të dytit duke zbatuar nene që nuk ekzistojnë në statutin e partisë, por që mund të shtohen rrugës sipas rrethanave.
Së gjashti, ka fituar betejën për rreshtimin e grupit parlamentar të partisë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025 bëri një listë humbëse, por me besnikë. Të bindurit i futi në listë të mbyllur. Të dyshimtët në det të hapur. Dhe kjo strategji po jept frytet e pritshme. Asnjë deputet i PD-së ‘nuk e luan bishtin’ dhe me sa duket as nuk kanë ndërmend t’a luajnë.
Së shtati, po fiton imunitet ndaj humbjeve. Për sa kohë Lulzim Basha ishte kryetar formal i partisë, barra humbjeve binte mbi të. Madje Lulit, duke i veshur fuqi që nuk e kishte, i faturoi edhe djegien e madateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019. Pas dëbimit të Bashës, ka humbur tre palë zgjedhje me të njëjtën alibi; zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe zgjedhjet e pjeshme lokale të 9 nëntorit 2025. Justifikimi i vjedhjes së zgjedhjeve duket efektiv edhe në 2027, 2029, 2031…sa herë të ketë zgjedhje!




















