Nga Hermes Kafexhiu/

(Një fact-check mbi pezullimin e vizave dhe raportin diplomatik SHBA-Shqipëri)

Që të jemi të qartë që në fillim, raporti diplomatik i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një raport i lidhur me individë apo me emra të përkohshëm pushteti, as këtu, as atje. Ai është një raport strategjik, ushtarak, gjeopolitik dhe afatgjatë, që nuk lëkundet nga titujt e ditës dhe as nga entuziazmi i rremë i atyre që e shohin politikën e jashtme si vazhdim të luftës së brendshme me mjete propagandistike.

Megjithatë, vendimi i fundit i DASH për pezullimin e vizave të emigracionit për një grup vendesh ku përfshihet edhe Shqipëria, u kthye brenda pak orësh në një festë groteske për disa, dhe në një dramë kombëtare për disa të tjerë. Të dyja palët gabojnë. Rëndë.

Së pari, le ta quajmë gjënë me emrin e vet, nuk bëhet fjalë për ndalim vizash, por për pezullim të përkohshëm të vizave të emigrimit , pra atyre që synojnë vendosje të përhershme në SHBA, jo vizave turistike, biznesi, studimi apo vizitash afatshkurtra. Kush vazhdon ta shesë ndryshe, ose nuk e kupton çfarë po lexon, ose po e deformon qëllimisht realitetin.

Së dyti, kriteri mbi të cilin është ndërtuar kjo masë nuk është politik, ideologjik apo diplomatik, por statistikor dhe administrativ. Administrata amerikane ka rishikuar të dhëna mbi emigrantët nga disa vende dhe ka konstatuar se një përqindje e lartë e tyre janë përfitues të asistencës sociale. Në këtë kontekst, Shqipëria renditet mes vendeve ku rreth 41% e emigrantëve rezultojnë përdorues të ndihmave sociale. Ky është fakt, jo opinion. Dhe është pikërisht ky fakt që ka prodhuar masën, jo ndonjë “ndëshkim” për qeverinë e radhës apo për opozitën e përhershme.

Tani, pyetja thelbësore është kjo, si arriti një vendim teknik i politikës së emigracionit amerikan të shndërrohet në kauzë politike shqiptare?

Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur, sepse në Shqipëri ka gjithmonë dikë që gëzohet kur mendon se “Amerika nuk na do”, mjafton që kjo ide t’i shërbejë narrativës së vet të brendshme. Një lloj triumfalizmi i vogël, provincial, që ngatërron interesin kombëtar me inatin politik.

Por le ta themi hapur, SHBA nuk e ndërton marrëdhënien me Shqipërinë mbi regjistrat e asistencës sociale të emigrantëve, por mbi interesa strategjike. Dhe në këtë plan, raporti është më solid se kurrë.

Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria ka në Kuçovë një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të Aleancës, me prani dhe ndikim të drejtpërdrejtë amerikan. Shqipëria është pjesë e arkitekturës së sigurisë euro-atlantike në Ballkan. Asnjë nga këto nuk është vënë në diskutim. Asnjë.

Prandaj, të lexosh pezullimin e vizave të emigrimit si sinjal ftohjeje diplomatike është ose analfabetizëm politik, ose keqdashje e qëllimshme.

Ka dhjetëra indikatorë realë që mund të përdoren për të matur marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ushtarak, qëndrimet në organizata ndërkombëtare, investimet strategjike, koordinimi diplomatik rajonal. Vizat e emigracionit nuk janë një prej tyre.

Në fund, e gjithë kjo zhurmë është një tymnajë e panevojshme, e fryrë artificialisht për t’u trajtuar si kauzë politike, kur në fakt është thjesht një vendim administrativ i një shteti sovran mbi politikat e tij të brendshme të emigracionit.

Amerika nuk po na refuzon si aleat.
Nuk po na mbyll dyert si partner.
Nuk po na penalizon si shtet.

Amerika thjesht po thotë, rishikojmë kë mund të pranojmë për të jetuar përgjithmonë tek ne, sipas rregullave tona.

Dhe kush gëzohet me idenë se “Amerika nuk na do”, në fakt po gëzohet me një keqkuptim. Ose, më keq akoma, po përpiqet ta shesë atë si fitore politike.

Në të dyja rastet, humbësi është serioziteti publik.

Por tek e fundit institucionet në Shqipëri duhet të gjejnë forcën dhe të pranojnë se duhet të ndërrmarin një politikë për të ndaluar ëndrrën e zvarritur të emigrimit me asistencë sociale.