*RTSH*

Gazetarja Lusi Përgjegji, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka dhënë detaje të reja lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, duke bërë me dije se arratisja ishte e mirëorganizuar dhe se Ndoci nuk ka vepruar i vetëm. Ajo sqaroi se në momentin që Ndoci ka dalë nga Reparti Infektiv i Spitalit të Durrësit, është pritur në parkimin e brendshëm nga dy automjete, një Audi A7 dhe një mjet tjetër, të cilat e ndihmuan të largohej.

“Policia po vijon kërkimet. Përveç Policisë së Shtetit, janë vënë në aksion edhe burgu i Tiranës që i kanë shkuar në ndihmë burgut të Durrësit për të kryer një hetim si ka mundur të krijojë planin për tu larguar nga Burgi i Durrësit e për të pyetur nëse ka persona të jetë të përfshirë apo që kanë pasur dijeni për arratisjen e Ndocit.

Hetimet nuk kanë mundur të vënë në pranga Altin Ndocit. Duket se Ndoci e kishte planifikuar më së miri skemën për t’u arratisur duke përdoru spitalin e Durrësit dhe një vizitë që e kishte caktuar më parë përsa i përket problemeve të tij shëndetësore. Altin Ndoci në këtë aksion nuk ka qenë i vetëm. Edhe në momentin që ia ka dalë nga Spitali i Durrësit nga spitali Infektiv është pritur nga 2 automjete, nga një Audi A7 dhe një makinë tjetër e cila i ka shoqëruar nga momenti që ka dalë nga spitali e i është drejtuar më tej parkimit të spitalit ku e prisnin dy automjetet që e ndihmuan të arratisej.

Ka patur një pezullim të menjëhershëm të zinxhirit drejtues të burgut të Durrësit, drejtori dhe vartësit e tij (drejtorët e nëndrejtorët që ushtronin funksione në IEPV e Durrësit), nuk ka pasur shkarkime përfundimtare. Kjo do mbetet për t’u parë gjatë ditës së sotme apo ditëve në vijim”, deklaroi Përgjegji.

Mesditën e së martës i paraburgosuri Altin Ndoci u arratis nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte i shoqëruar nga Policia e Burgjeve për një vizitë mjekësore të planifikuar në Repartin Infektiv.

Sipas të dhënave zyrtare, Ndoci u shoqërua nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve, dy prej tyre qëndruar jashtë në mjetin e shërbimit ndërsa 2 të tjerë e shoqëruan Brenda godinës në katin e tretë të repartit infektiv ku ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e personave të paraburgosur.

Gjatë kontrollit mjekësor, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet i cili ndodhet brenda dhomës së kontrollit. Në momentin që ka dalë, ai ka goditur dy efektivët që e shoqëronin dhe ka dalë me forcë nga dhoma duke zbritur shkallët e repartit. Një nga policët e burgjeve ka qëlluar një herë me armë zjarri për paralajmërim, por i burgosuri ka arritur të dalë nga godina dhe të largohet.

Nga oborri i spitalit ai është larguar me një automjet tip Audi A7 që dyshohet se e priste në parkimin e brendshëm.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka ngritur postoblloqe në Durrës, Kavajë dhe në qarqet Tiranë, Fier dhe Lezhë.

Pas arratisjes Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa të menjëhershme administrative. I gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit është shkarkuar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Altin Ndoci me origjinë nga Puka dhe me banim në Tiranë, ndodhej në paraburgim për vepra të rënda penale.

Altin Ndoci njihet si pjesë e organizatës së Çopjave, si dhe dyshohet i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i Alibej dhe një shtetas turk.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andi Zylyfit.

Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.