Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj gjatë Konferencës së Kryetarëve, u ndal te shqetësimet që lidhen me përhapjen e dezinformimit dhe lajmeve të rreme në hapësirën publike.

Ajo theksoi se gjatë fundjavës është përhapur një lajm plotësisht i pavërtetë dhe i pambështetur në asnjë fakt, i cili ka vënë në shënjestër familjarë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas Spahiut, pavarësisht se mediat që e publikuan këtë lajm u vunë në dijeni të së vërtetës, ato vijuan të përhapin shpifjet e hedhura nga Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

“Është e papranueshme ajo që ndodhi. Duhet të gjenden mekanizmat që raste të tilla të mos mbeten pa përgjegjësi dhe personat që orkestrojnë lajme të rreme të mbajnë përgjegjësi, qoftë edhe penale”, u shpreh Spahiu.

Ajo theksoi se lufta kundër dezinformimit është e domosdoshme për të mbrojtur integritetin e debatit publik dhe për të garantuar respektimin e standardeve etike në media dhe politikë.