Stamboll – Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Platforma do të fokusohet në avancimin e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin europian, paqen rajonale.

Ministrja Spiropali njoftoi se “në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, kolegu Fidan prezantoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash.”

Spiropali shtoi se “Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes”.

Bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë, sipas Spiropalit, do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Më herët Spiropali zhvilloi një takim me Ministrin Fidan, për partneritetin strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona, përgjatë këtij viti.