Në një sallë takimesh në Doha, rreth 7.500 milje larg Karakasit, disa zyrtarë po diskutonin të ardhmen e Venezuelës pa Nicolás Maduro-n, diktatorin e saj. Një anëtar i lartë i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe vepronte si urë lidhëse mes regjimit dhe Donald Trump-it, ndërkohë që presidenti amerikan po ndërtonte një “ushtri”, për t’i bërë presion udhëheqësit venezuelian që të dorëzohej.

Por Maduro nuk ishte pjesë e takimeve sekrete në Doha. Në vend të tij, ishin zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, dhe vëllai i saj, Jorge Rodríguez, ata që udhëhiqnin bisedimet.

Sipas Miami Herald, që ka lidhje të forta në Amerikën Latine, zonja Rodríguez i ishte drejtuar Uashingtonit për t’u paraqitur si një alternativë “më e pranueshme” ndaj regjimit të Maduros. Sot, ajo qeveris Venezuelën me miratimin e Trumpit.

Detajet e takimit kanë ushqyer dyshimet se largimi i Maduro-s ishte një operacion i brendshëm, i planifikuar për të lënë në pushtet një presidente që mund të menaxhojë tranzicionin, pa e shpërbërë plotësisht shtetin dhe pa shkaktuar kaos apo trazira.

Siç thuhej në raportimet e tetorit për takimin, zonja Rodríguez ofronte “madurizëm pa Maduron”, një lloj “regjimi të lehtësuar”. Të shtunën, Donald Trumpi deklaroi se SHBA do ta “drejtonte” Venezuelën gjatë tranzicionit përmes qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Rodríguez, ndërkohë që po bëheshin përgatitje që kompanitë amerikane të naftës të hynin dhe të nisnin nxjerrjen.

“Ajo është në thelb e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën sërish të madhe,” u tha Trump gazetarëve për zonjën Rodríguez, e cila ishte sanksionuar nga SHBA gjatë mandatit të parë të Trumpit, për rolin e saj në minimin e demokracisë venezueliane.

Të dielën, Francisco Santos Calderón, ish-zëvendëspresident i Kolumbisë, sugjeroi se i gjithë operacioni për largimin e Maduros kishte qenë një punë nga brenda, me ndihmën e zonjës Rodríguez.

Santos tha se ishte “absolutisht i sigurt” se Rodríguez e kishte tradhtuar Maduron duke lejuar kapjen e tij nga SHBA pa shumë rezistencë. “Ndaj nuk e rrëzuan, por ia dorëzuan,” tha ai.

“Jam absolutisht i bindur se Delcy Rodríguez e dorëzoi. Të gjitha informacionet që kemi, kur i bashkon, të çojnë në përfundimin se ky ishte një operacion ku ai u dorëzua. Sigurisht që duhej përgatitur skena. Presidenti Trump thotë se Delcy do të jetë ajo që do të udhëheqë tranzicionin, pra Delcy do ta drejtojë tranzicionin. Ajo është shumë e qartë për rolin që do të luajë dhe do të përpiqet të fitojë pak pavarësi.”

Në të vërtetë, Rodríguez, një avokate 56-vjeçare me lidhje me industrinë e naftës, duket si një kandidate ideale për të bashkëpunuar me SHBA.

Ajo ka shërbyer si zëvendëspresidente e Maduros që nga viti 2018. Ajo hyri në qeveri menjëherë pas zgjedhjes së Hugo Chávezit në vitin 1999 dhe u ngjit gradualisht në hierarki.

Ka shërbyer si ministre e Jashtme, kryetare e Asamblesë Kushtetuese dhe, gjatë kohës si zëvendëspresidente, ka mbajtur edhe postet e ministres së Naftës dhe të Financave. Në rolin e saj të fundit, Rodríguez arriti të ruajë profilin e saj të majtë, duke u bërë njëkohësisht “fytyra e një liberalizimi relativ ekonomik”, sipas Geoff Ramsey, ekspert për Amerikën Latine në Atlantic Council.

Këto politika miqësore ndaj tregut ndihmuan nxjerrjen e Venezuelës nga kriza e thellë ekonomike që zgjati deri në vitin 2021, gjatë së cilës ekonomia u tkurr me tre të katërtat dhe pothuajse tetë milionë njerëz u detyruan të largoheshin nga vendi.