Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurisë për 4 punonjës policie në Berat, për të cilët gjykata kishte vendosur ‘pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik’.

Efektivët e pezulluar nga detyra janë shtetasit Artan Selami, Myftar Dauti, Adem Qevani dhe Karafil Guçe. Përmes një njoftimi, AMP bën të ditur se 4 punonjësit e policisë dyshohen për kryerjen e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’.

Efektivët ishtin pjesë e Policisë rrugore dhe sipas AMP, ata dyshohet që me veprimet apo mos-veprimet e tyre në shkelje të ligjit, kanë penalizuar / favorizuar drejtues të mjeteve të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.

Njoftimi:

Berat – AMP ekzekuton masat e sigurisë për 4️⃣ punonjës policie

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar në nenin 242 të Kodit të Pr. Penale ndaj katër punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

▶️ Inspektor A.S., me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

▶️ Inspektor M.D., me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

▶️ Inspektor A.Q., me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

▶️ Inspektor K.G., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas veprimeve hetimore proaktive të kryera nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiskionit të Përgjithshëm Berat, nga ku ka rezultuar se këta punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, me veprime dhe mosveprime në shkelje të ligjit kanë penalizuar / favorizuar drejtues të mjeteve të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Për ankesa me Ëhatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.