Nga Mero Baze/
Janë bërë shumë njerëz brenda PD-së që vazhdimisht e kritikojnë partinë pse Edi Rama nuk rrëzohet me protesta të tilla si ajo e djeshmja. Dikush i do më të egra, dikush më paqësore, dikush më të mëdha, dikush më simbolike; dikush do grevë urie, tjetri do të hyjnë në Kryeministri dhe t’i vënë flakën.
Është interesante se shumica e këtyre sugjerimeve dhe pakënaqësive vijnë pikërisht nga ata që shkojnë në këto protesta.
I vetmi që është gjithmonë i kënaqur nga këto protesta është Berisha. Dhe kur janë një mijë veta, dhe kur bëhen dy mijë, dhe kur bëhen pesë mijë, ai ka fjalimin standard: “Ky ishte uragani më i madh i demokracisë, mbi 200 mijë vetë ishin në rrugë”, dhe vazhdon logorrenë e tij.
Tani, mes atyre pesimistëve që kritikojnë protestën duke marrë pjesë në të dhe Berishës, jam dakord me Berishën – pavarësisht gënjeshtrave për pjesëmarrjen.
Protestat janë ide dhe shkollë politike e Berishës. Ai i thërret zakonisht kur është në krizë brenda partisë, pikërisht nga këta tipa që e bezdisin me sugjerime dhe i kërkojnë të rrëzojë qeverinë. Sa herë këta shtohen, ai thërret protestë për t’i vënë në rresht pas tij përballë Ramës, dhe kjo i funksionon.
Natyrisht, protestat nuk janë as të mëdha, as frymëzuese, as kërcënuese dhe as të besueshme për të rrëzuar Ramën, por janë të mjaftueshme për t’u thënë këtyre që e bezdisin: “rini në rresht”.
Sali Berisha e di më mirë se ata që qeveria nuk rrëzohet me protesta të tilla me porosi. Për 30 vjet nuk ka rrëzuar asnjëherë qeveri me to. Përkundrazi, ai është rritur politikisht kur është pranuar si palë nga qeveria dhe ka moderuar qëndrimet.
Ai e di se Edi Rama nuk rrëzohet me këto protesta, por as nuk e ka këtë si qëllim. Madje, protesta të tilla janë ilaçi më i mirë për Edi Ramën në krizën që ka me drejtësinë dhe betejën kundër korrupsionit, sepse ia ribashkojnë socialistët rreth vetes kur shohin Berishën.
Por për Berishën, qëllimi i këtyre protestave është që ai të mos rrëzohet nga kreu i PD-së. Dhe kjo i funksionon.
Pjesa tjetër është teatër.
Ata që mendojnë vërtet se me këto protesta nuk rrëzohet Rama, por përkundrazi forcohet Berisha në krye të PD-së, nuk kanë pse shkojnë në këto protesta. Nëse kanë qëllim rrëzimin e Edi Ramës, duhet të luftojnë që PD të bëhet një parti e besueshme për ta rrëzuar Edi Ramën.
Nëse duan të forcojnë Berishën që ta kenë përjetësisht kryetar, le të shkojnë te ky teatër i protestave, sepse kështu u bëhet mirë të dy palëve: Berishës, që ka një vend ku të tundë flamurin para flakëve, dhe Ramës, që ka një arsye t’u thotë të vetëve: “rrini urtë, se ua solla këtë gogol”.


















