Ernest Muçi është kthyer brenda pak kohësh në lojtarin qendror të Trabzonsporit dhe klubi turk po bën maksimumin për të përfituar nga forma që po kalon sulmuesi shqiptar, i cili po shënon e jep asiste rregullisht.
Dy golat e tij në Kupë e kanë bërë edhe më shumë protagonist sulmuesin shqiptar dhe sipas mediave turke, i kanë vendosur vulën transferimit përfundimtar te Trabzonspor. Sipas “TGRT Haber”, klubi ka vendosur që të paguajë klauzolën e transferimit të Muçit në fund të sezonit ndonëse shpreson ende që të ketë një “ulje” nga Beshiktashi në shifrën prej 8 milionë eurosh.
Vendimi ka ardhur falë besimit të verbër që ka trajneri Fatih Teke te aftësitë e Muçit. Në videot e publikuara në rrjetet sociale nga klubi i Trabzonsporit, dëgjohen disa udhëzime në pushim të ndeshjes nga trajneri, i cili u tregonte qartësisht lojtarëve të kërkonin sulmuesin shqiptar. “Luani lirshmërisht, jeni të lirë në fushë. Duhet t’i japim topin Muçit”, ishte udhëzimi i tij i vazhdueshëm ndaj lojtarëve.




















