‘Paraqitëm rrezikun e madh që organizata kriminale qeveri shqiptare, e kryesuar nga Edi Rama, paraqet jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë Europën’. Kështu e pasqyroi Sali Berisha nga Tirana vizitën e tij në Strasburg, duke thënë se denoncoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama përballë anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“U ktheva mbrëmë pas një qëndrimi si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe një aktiviteti intensiv në tempullin e demokracisë evropiane”, tha Berisha.

Në fakt, Berisha nuk ishte pjesë e delegacionit për të cilin parlamenti shqiptar kishte detyrimin të mbulonte shpenzimet, si në rastin e deputetes demokrate Albana Vokshi. Berisha zgjodhi të shkojë privatisht, duke shfrytëzuar emrin e tij në listë si anëtar zëvendësues në këtë delegacion.

Duke marrë pjesë në mbledhjet e Asamblesë, kryetari demokrat nxori jashtë loje Vokshin, roli i së cilës u kufizua në videot për Berishën.

“Patëm dhe takime të rëndësishme me drejtues të komisioneve, me personalitete drejtues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, vijoi Berisha.

Në fakt, nga vetë materialet e shpërndara nga zyra e shtypit e PD, Berisha nuk ka zhvilluar asnjë takim, veç fjalimit në një sallë thuajse bosh dhe disa deklaratave të bëra nga holli i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Mund t’u them se tre ditë në sallat e tempullit të demokracisë, fantazma e kreut të organizatës kriminale, Edi Rama, ishte më e përçmuara”, vijoi Berisha.

Por, kjo video tregon se fjalimi i Berishës jo vetëm nuk u mbështet, por u refuzua pasi fjala që po mbante nga fundi i sallës, shumë pranë daljes, iu ndërpre nga Presidentja e Asamblesë.