Nga Aladin Stafa/

Viti 2026 nisi me fuqishëm se kurrë. Më 3 janar, në fundjavën e parë dhe që duhet të ishte ndër më të paqtat e vitit, presidenti venezuelian, Nicolas Maduro bashkë me gruan e tij, Cilia Flores u arrestuan me disa akuza nga forcat speciale amerikane, të quajtura ndryshe dhe si Delta. E gjitha e organizuar në një operacion rrufe brenda apartamentit të tyre në pallatin luksoz, në Karakas. Ndërsa prej muajsh deklaratat mes tij dhe Presidentit Donald Trump vetëm rrisnin temperaturat në komunikimet e tyre në distancë, kërcënimet, kanosjet dhe gatishmëria për t’i shpallur “luftë” njëri- tjetrit, u përmbyll sakaq me arrestimin e presidentit venezuelian në rezidencën e tij. E për të treguar besimin e ulët që vetë Maduro kishte ndaj njerëzve të tij, anormale është fakti se si trupat mbrojtëse nuk ishin asesi vendase sic dhe mund të mendohet. Ata ishin kubanezë.

Akuzat që cuan në ndërmarrjen e këtij operacioni ishin të njëjtat që prej kohësh shqiptarët i kanë dëgjuar rëndom në përditshmërinë e tyre: trafikimi i drogës dhe narko-terrorizmi. Sipas administratës Trump, të dyja këto akuza të përdorura nga gjykata e New York-ut qëndronin, duke parë se si numri i vdekjeve ishte shtuar aq shumë këto vite mes shtetasve amerikanë. Shumica padiskutim, të rinj.

Por a mjaftojnë këto akuza për të ndërmarrë një veprim të tillë? A është ky vetëm fillimi për të krijuar një precedent tjetër për të ardhmen? Sa fuqi kanë ligjet ndërkombëtare dhe a ekziston sot pas kësaj që ndodhi sovraniteti në politikën reale?

Natyrisht që qeveria amerikane e justifikon si të domosdoshme dhe të pakompromistë luftën kundrejt trafikimit të drogës, me bazë mbrojtjen e shtetasve të tyre. Por a është vetëm droga e Maduros që qarkullon në tokën amerikane?

Pas kësaj pyetje hapen pista të tjera të pathëna, ku gjetja e një preteksti i mbyll ato lehtësisht. Nëse po mendoni për rezervat e naftës, duhet ta pohojmë se investimi tek këto burime për t’i bërë të kushtueshme, ka kosto shumë më të madhe se përfitimi që mund të sigurosh prej shitjes së tyre. Ndaj nëse faktet reale janë kokëforta, duhet të kthejmë sytë nga gjeopolitika. Në kohën ku po jetojmë, ambiguitetin e dinamikën mund ta sqarojmë sadopak me qasjen e politikës reale.

Që prej fillimeve të qytetërimit, bota ka qenë e predispozuar për t‘u udhëhequr nga një hegjemoni. E në rastin tonë, SHBA-të e kanë këtë rol “perandorak“. E kanë pasur dhe me shumë gjasa do ta kenë. Presidenti Trump e di shumë mirë se në marrëdhëniet ndërkombëtare, nëse nuk je institucionalist atëherë do duhet të sillesh si realist.

Vizioni se si amerikanët në parim e shohin botën përmblidhet në katër pika dhe qëllimi parësor i cdo shteti është mbijetesa. Shtetet duhet të sillen si aktor racional, e të veprojnë sipas arsyes pa emocione; të gjitha shtetet posedojnë kapacitete ushtarake dhe asnjë shtet nuk i di qëllimet precize të fqinjit të vet; në këtë botën tonë ajo që vlen të mos harrojmë është se janë Fuqitë e Mëdha, shtetet me peshën më të madhe ekonomike dhe vecanërisht ushtarake të cilat kanë qenë dhe do të jenë vendimtare për fatin e krijimit të rendit boteror (John Mearsheimer, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, 1994).

Duke qenë se marrëdhëniet ndërkombëtare janë të definuara nga nje anarki, ku autoriteti qendror mungon- pushteti shtetëror është çelësi – në fakt, i vetmi, që ndryshon bazuar mbi interesa. Sepse vetëm nëpërmjet pushtetit, shtetet mund të mbrojnë veten dhe të shpresojnë të mbijetojnë. Të gjitha burokracitë e ligjeve ndërkombëtare ranë në një natë të vetme duke na treguar se asnjë nuk është i barabartë përpara ligjit, sepse ligji barazohet me forcën.

E përpos të gjithave, mos të harrojmë pamjet fantastike të Maduros që dhe një personazh kryesor në filmat e Netflix do ta kishte zili. Si për të treguar që jetojmë në botën e imazhit, ku vlerën e ka figura e jo përmbajtja, njerëzit u frymëzuan mbi të gjitha prej kostumit të tij sportiv, Nike.

Shitjet e atij modeli, u shumëfishuan në pak ditë, të rinjtë gjetën stilin e tyre të ri të veshjes këtë fillim viti dhe vëmendjen më të madhe të tyre nuk e mori ngjarja, por pamja. As vete Departamenti i Marketingut të ‘Nike‘ nuk do ta kish organizuar më mirë.

E në fund, rënia e Nicolás Maduros sjell në mendje një mësim të njohur nga mitologjia greke e romake: pushteti i ndërtuar mbi hubris (mendjemadhësinë) nuk është kurrë i përhershëm. Ashtu si Ikarusi, i cili besoi se mund të fluturonte përtej çdo kufiri, Maduro qeverisi sikur sovraniteti ta bënte të paprekshëm. Mitologjia na kujton se kur sundimtarët shpërfillin ekuilibrin dhe vetkontrollin, rënia nuk është aksident por pasojë. Në këtë kuptim, ngjarjet rreth Maduros nuk janë vetëm politike. Ato ndjekin një model po aq të vjetër sa vetë historia.

Bota po lëkundet, fronte të reja po hapen e shpejt ca të tjera do të mbyllen. Rendi botëror kërkon një rifreskim që me dëme kolaterale ose jo, do të ndodhë. Ky ishte vetëm starti i parë i një fillimviti i cili pritet të na sjellë skenare interesantë. Pa harruar gjithmonë se nuk ka asgjë të re nën këtë Diell.