Një vajzë shqiptare rezulton mes miliona dosjeve që Departamenti i Drejtësisë në Amerikë ka publikuar dje, të cilat lidhen me abuzuesin e ndjerë Jeffrey Epstein. Newsbomb.al ka mundur të sigurojë korrespondencën e saj me ekipin e Epstein, por po e shfaqim të censuruar.
Vajza në fjalë është midis 21 dhe 22 vjeçe, siç e përshkruan agjenti i abuzuesit seksual të fëmijëve dhe përdhunuesit serial Jeffrey Epstein, ndërsa i kërkon këtij të fundit mendim nëse mund ta marrë në intervistë për punë apo jo.
“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në email që ka dërguar e reja.
Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, asistenti i Epstein i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tri foto personale.
“Ta marr në intervistë këtë? Është 21-22 vjeçe, jeton në Paris”, pyet asistenti. Më tej, nuk ka më korrespondencë dhe nuk dihet nëse vajza me origjinë shqiptare dhe që jetonte në Paris në 2017, ka shkuar si asistente e Jeffrey Epstein.
Shumë nga emailet dhe dokumentet datojnë më shumë se një dekadë më parë, duke shfaqur marrëdhëniet e Epsteinit mes problemeve të tij ligjore. Ai vdiq në gusht 2019 ndërsa ishte në burg nën akuzat për një rast të gjerë trafikimi seksual.
Jeffrey Epstein ishte një trafikant amerikan i qenieve njerëzore, abuzues seksual i fëmijëve, përdhunues serial dhe financier. Epstein krijoi një rreth shoqëror elitar dhe siguroi të paktën 1,000 gra dhe vajza të mitura të cilat iu nënshtruan përdhunimit dhe dhunës seksuale të përsëritur nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij./ Newsbomb.al


















