Nga Nju Jorku, Marko Caka

“Unë nuk jam Slobodan Millosheviç. Nuk jam as budalla dhe as naiv t’ju besoj.” Kështu flet Aleksandër Vuçiç, ish-nxënësi model i kasapit të Ballkanit, njeriu që sot përpiqet të na shesë idenë se ka dalë nga e njëjta stallë politike, por pa erën e gjakut. Qetësohuni. Askush nuk tha që Aleksandër Vuçiç është Millosheviç. Thjesht se vjen nga e njëjta recetë, i njëjti laborator politik, me të njëjtët përbërës, vetëm se sot prodhimi është për eksport europian dhe jo për konsum të brendshëm ballkanik.Pra një lloj Millosheviçi “bio”, i paketuar vetëm për Brukselin. Millosheviçi ishte versioni analog, i zhurmshëm, brutal, i pakompromis. Vuçiçi është versioni digjital, më i heshtur, më i lëmuar, me përditësime periodike për t’iu përshtatur Brukselit. Krimet? Të arkivuara. Ideologjia? Ende aktive në sfond. Deklarata e tij vjen pas dy dekadash, kur Millosheviçi tashmë është i sigurt, i vdekur, i gjykuar dhe i padëmshëm për karrierën politike të askujt. Është gjithmonë e lehtë të jesh trim me kufoma. Problemi është se Serbia nuk u shkatërrua nga naiviteti i Millosheviçit, por nga bindja e plotë e njerëzve si Vuçiç, se po bënin gjënë e duhur. Çështja Millosheviç, na thuhet, është mbyllur. Po, juridikisht. Moralisht? Ajo mbetet vula e turpit që e ka shndërruar Serbinë në shembullin më të errët të Europës moderne, si një shtet që foli për komb, por prodhoi varre masive. Sipas Vuçiçit, ai është thjesht më i zgjuar. Jo më i drejtë, jo më njerëzor, por thjesht më pak naiv. Me fjalë të tjera, Vuçiç nuk gabon si Millosheviçi, ai mëson nga gabimet e tij. Jo për të mos i përsëritur krimet, por për të mos u kapur. Sipas logjikës së re të Vuçiçit, problemi nuk ishte ideja e Serbisë së Madhe, por menaxhimi i saj. Jo krimi, por mënyra si u bë krimi. Jo urrejtja, por fakti që ishte shumë e dukshme.E thënë troç, Millosheviçi humbi sepse nuk dinte të shtirej si demokrat. Nëse Vuçiç e dinte se Millosheviçi ishte naiv, pse nuk ia tha atëherë? Pse nuk ia tha në sy, kur propaganda serbe ndizte Ballkanin dhe kufomat ende ishin të ngrohta? Përgjigjja është ofenduese për inteligjencën, sepse Vuçiç nuk ishte viktimë e regjimit, por ishte produkt i tij. Një ingranazh i bindur i makinerisë së megalomanisë serbe, ku heshtja nuk ishte frikë, por bashkëfajësi. Të gjithë ata që sot shtiren si “reformatorë” ishin dje ushtarë ideologjikë të një projekti kriminal. Nacionalizmi i tyre nuk ishte aksidental, por ishte doktrinë. Ishte aq i injektuar në tru, sa edhe kur realiteti i tregonte humbjen, ata vazhdonin të flisnin për fitore historike. Një skizofreni politike që Serbia e pagoi me izolim, sanksione dhe gjenerata të humbura, si dhe turpin historik që nuk do i ndahet kurrë. Nacionalizmi serb nuk ka vdekur, thjesht ka mësuar gjuhë të huaja. Nuk ulëret më në sheshe, por pëshpërit në zyrat e pushtetit. Nuk vishet më me uniformë ushtarake, por me kostum të errët dhe kravatë serioze. Është bërë i edukuar. Dhe, si çdo gjë e edukuar, është edhe më i rrezikshëm. Helmi është i njëjti, vetëm se injektohet në doza të vogla, që të mos vdesë pacienti… por as të mos shërohet. Sot jemi në vitin 2026 dhe Vuçiç përpiqet të na bindë se është pastruar. Sigurisht që po, njësoj siç lyhet fasada e një godine të kalbur. Dhe sigurisht tani, Vuçiç na siguron se ai nuk është naiv. Gjë e vërtetë. Ai e di shumë mirë se sot nuk fiton pushtet me tanke, por me konferenca shtypi. Jo me paramilitarë, por me fraza të gatshme për “stabilitet rajonal”.

Jo me ultimatume, por me buzëqeshje diplomatike që zgjasin aq sa duhet për të kaluar radhën në Bruksel. Ironia më e madhe është se Vuçiç sot flet për Perëndimin si destinacion, ndërkohë që mendon për fqinjët si pronë. Flet për paqe, por ushqehet nga frika. Flet për të ardhmen, por mban peng të shkuarën. Një akrobat politik që ecën mbi litarin e historisë, duke u shtirur se poshtë nuk ka kufoma. Shpresa, për fat të keq për Vuçiçin, nuk vjen nga fjalimet e tij, por nga studentët që nuk e duartrokasin më. Nga rinia e Serbisë që në “vizionin” e Vuçiçit është rreziku më i madh sesa Perëndimi. Nga një brez që nuk e ka nostalgjinë e humbjeve të mëdha dhe as mitologjinë e viktimizimit të përhershëm. Një brez që e ka kuptuar se nacionalizmi është një justifikim për dështim, që nuk të jep identitet, por certifikatë izolimi. Vetëm kjo gjeneratë, e cila nuk mban gjakun e së shkuarës në duar, mund ta çlirojë Serbinë nga hijet e Millosheviçit duke përfshirë versionin e tij “të moderuar”. Vetëm kjo gjeneratë mund ta bëjë atë që Vuçiç nuk e bëri kurrë, ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet fqinj, jo si fantazmë kolektive për konsum elektoral. Vetëm ajo mund ta shohë Kosovën si dy fqinj ku marrëdhëniet bazohen në parimet e reciprocitetit dhe harmonisë. Dhe vetëm kur Serbia të kërkojë falje, jo si taktikë diplomatike, por si akt moral, atëherë mund të flasë seriozisht për Europën. Sepse Europa nuk është strehë për cinikë të reformuar vonë. Europa është pasqyrë. Dhe në atë pasqyrë, Aleksandër Vuçiç ende sheh fytyrën e Millosheviçit, vetëm pak më të plakur, pak më të kujdesshme dhe shumë më hipokrite. Sepse historia ka një sens humori të zi, se ajo gjithmonë rikthehet. Dhe kur rikthehet, zakonisht nuk qesh me ata që mendojnë se janë “më pak naivë” se paraardhësit e tyre.