Në prag të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike është zbardhur udhëzimi i shpërndarë për strukturat nga sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, ku kërkohet përditësimi i listave të anëtarësisë.
Në dokument udhëzohen Degët e Partisë Demokratike të angazhohen me këtë proces ndërsa renditen edhe kriteret që duhet të plotësojë një anëtar i PD.
Udhëzimi parashikon ndarjen e anëtarëve në kategori të veçanta: ata që janë zhvendosur brenda territorit të Shqipërisë, ata që ndodhen në emigracion, individët që nuk duan të angazhohen dhe rastet për të cilat nuk ka informacion. Këta anëtarë evidentohen veçmas dhe përfshirja e tyre në proceset e brendshme kushtëzohet nga riaktivizimi dhe plotësimi i formularëve përkatës.
Në udhëzim nënvijëzohet se nuk do të konsiderohen anëtarë aktivë të PD-së ata që kanë vepruar kundër interesave të partisë në fushata zgjedhore, kanë mbajtur qëndrime publike kundër vijës politike, kanë mbështetur kundërshtarë politikë apo kanë thyer disiplinën e brendshme.




















