Zlatan Ibrahimovic ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të rrëfyer një pjesë shumë personale të jetës së tij.
Për herë të parë, legjenda e futbollit ka dhënë një intervistë të gjatë në gjuhën boshnjake, në emisionin “(Ne)uspjeh prvaka” në “Arena Sport”, në një bisedë të sinqertë me Slaven Bilic.
Tema kryesore ishte fëmijëria e tij në Suedi dhe hija që lufta në Bosnje dhe Hercegovinë la mbi familjen dhe komunitetin e tij.
I rritur në lagjen Rosengard të Malmos, Ibrahimovic thekson se, edhe pse rrënjët e tij familjare janë nga Bosnja, ai nuk ishte i ekspozuar drejtpërdrejt ndaj tmerreve të luftës.
Megjithatë, atmosfera e asaj periudhe dhe ndryshimet që ajo solli nuk kaluan pa lënë gjurmë.
Ai përshkruan Rosengardin si një vend ku dallimet kombëtare dhe fetare nuk kishin peshë, ku fëmijët rriteshin bashkë, mes tyre edhe shqiptaret, pa paragjykime apo ndasi.
“Në atë Rosengard ishim të gjithë bashkë. Për ne ishim të gjithë njësoj: boshnjakë, kroatë, serbë, shqiptarë… Nuk kishte rëndësi nga vije, kishim respekt për njëri-tjetrin. Pastaj filloi lufta. Në ato vite nuk lexonim gazeta, unë as telefon nuk kisha. Kisha një televizor, por nuk shikoja lajme”.
Zlatan tregon se mënyra e vetme si e ndiente se diçka e rëndë po ndodhte ishte përmes sjelljes së babait të tij, i cili ishte vazhdimisht në telefon duke u përpjekur të ndihmonte familjen në Bosnje.
Një episod i veçantë i asaj kohe i ka mbetur thellë në kujtesë.
“Gjithçka që ndjeva ishte se babai im ishte gjithmonë në telefon. E kuptova se po fliste me familjen në Bosnje, për t’i ndihmuar. Unë shkoja te nëna ime, zakonisht shkoja atje për të ngrënë. Ata jetonin afër, pesë minuta larg, për hir të fëmijëve. Një ditë shkova te nëna ime dhe të gjithë ishin veshur me të zeza”.
Ai shpjegon se familja u përpoq ta mbronte nga e vërteta, duke e lënë të jetonte si një fëmijë i zakonshëm, pa barrën e dhimbjes së luftës.
“I pyeta pse ishin të gjithë me të zeza dhe më thanë të dilja jashtë, të luaja futboll. Nuk donin të më tregonin. Gjyshja ime kishte vdekur në luftë. Më mësuan të sillesha si një fëmijë i vogël, të shijoja jetën dhe të luaja futboll. Nuk donin të më tregonin asgjë për këtë”.
Një tjetër moment domethënës, sipas Ibrahimovic, ishte ardhja e refugjatëve nga ish-Jugosllavia në Suedi, të cilët sollën me vete ndarje dhe tensione që më parë nuk ekzistonin në komunitetin ku ai ishte rritur.
“Babai im më bënte të luaja futboll. Më linin jashtë që të mos ndieja çfarë po ndodhte. Pastaj erdhën refugjatët në Suedi dhe ata kishin një mentalitet tjetër. Unë jam boshnjak, ti je serb, kështu mendonin ata. Kur erdhën në atë geto në Rosengard, mentaliteti ishte ndryshe”.
Në kontrast me këtë, Zlatan thekson se ai vetë e shihte realitetin ndryshe, pa kufij artificialë mes njerëzve.
“Në kokën time ishte ndryshe, për mua ishte Jugosllavia. I kisha të gjithë shokët dhe nuk shihnim kush ishte kush, por ata ishin shumë ndryshe. Luftonim me ta. Nuk e pranonin që gjithçka të ishte kaq e përzier. Për mua ishte ndryshe”.
Një rrëfim i fortë dhe emocional, ku Ibrahimovic jo vetëm flet për veten, por edhe për një brez të tërë që u rrit mes futbollit, emigrimit, luftës dhe bashkëjetesës.




















