Kryeministri Rama reagoi sot në Facebook për një problem që prek drejtpërdrejt qytetarët: njerëz që qëndrojnë me muaj në burg pa u gjykuar, vetëm mbi bazën e “dyshimit të arsyeshëm”.

“Kjo formulë ka marrë në qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm, është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë” shkroi Rama.

Në postimin e tij, Rama ndau një video nga tryeza e mbajtur të enjten në Tiranë për këtë çështje, ku Nicola Lettieri, zv prokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë shpjegoi se si kjo praktikë mund të ndryshohet.

Sipas Lettierit, një person duhet të futet në paraburgim vetëm kur ka prova ose shenja serioze, dhe jo thjesht dyshime. Ai propozon që në nenin 228 të Kodit Penal të hiqet shprehja “dyshim i arsyeshëm” dhe të zëvendësohet me “bazë e arsyeshme”, që të vendoset një kriter më i qartë.

Eksperti thekson se sot prokurori mund të kërkojë paraburgim për çdo vepër penale por gjyqtari duhet të shqyrtojë realisht dosjen, të japë arsye konkrete pse paraburgimi është i domosdoshëm dhe pse nuk mjaftojnë masa më të lehta, si paraqitja periodike apo arresti në shtëpi.

“Ajo çfarë sugjerojmë është që të përdoret në një dispozitë specifike, 228 e Kodit Penal, një formulim specifik të “bazës së arsyeshme” për prova apo indicie erioze në vend të formulimit aktual që është “dyshim i arsyeshëm”. Nuk ka një prag, një kufi të shprehur të veprës penale për tu ndaluar. Prokurori mund ta kërkojë këtë gjë, gjyqtari mund ta miratojë masën e sigurimit për çdo vepër penale. Kjo nuk është koherente me të njëjtin Kod në Shqipëri because for instance neni 241, parashikon se masat e ndërmjetme apo ndaluese që janë më pak ndëshkuese se masa e paraburgimit, mund të zbatohen vetëm në procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkueshme me ligj me një dënim me më shumë se 1 vit burg. Jemi fokusuar edhe në kriteret e arsyetimit ligjor. Ajo çfarë kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë duke iu referuar vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje për të parë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij, të shmangë formulat stereotipe. Ndaj ne sugjerojmë dy ndryshime, ndryshime në nenin 245. I pari është kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të kërkojë arsye specifike pse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm ose jo, duke e përcaktuar atë nën nenin 237. Gjykata nuk mund të kufizohet në miratimin e kësaj mase dhe duhet të thotë shprehimisht pse masat alternative nuk mund të zbatohen. Gjyqtari nuk mund t’i referohet vetëm kërkesës që vjen nga prokurori por ai ose ajo duhet të provojë se kryen një vlerësim/shqyrtim autonom dhe në qoftë se kjo nuk bëhet, atëherë gjykata e një shkalle më të lartë mund ta anullojë këtë masë” tha ai./Shqiptarja