Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, zbuloi në një raport të publikuar dje, se në vitin 2025 pati pesë atentate kundër Presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, si dhe kundër ministrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Sipas raportit, al-Sharaa u shënjestrua në veri të Alepos, provincën më të populluar të Sirisë, dhe në jug të Daraas nga grupi Saraya Ansar al-Sunna, i cili thuhet se është i lidhur me ISIS-in.

Dokumenti, i përgatitur nga Zyra e OKB-së Kundër Terrorizmit dhe i lëshuar nga Guterres, nuk përfshin data ose detaje specifike të sulmeve ndaj Presidentit, as ndaj Ministrit të Brendshëm Anas Khattab dhe Ministrit të Jashtëm Asad Al-Shaibani.

Raporti vëren se këto përpjekje demonstrojnë qëllimin e vazhdueshëm të ISIS-it për të destabilizuar qeverinë e re siriane duke shfrytëzuar boshllëqet e sigurisë dhe pasigurinë në vend. Gjithashtu thuhet se ky grup i frontit i ka ofruar organizatës “mohim të besueshëm” dhe ka ndihmuar në forcimin e aftësive të saj operacionale.

Qeveria e Al-Sharaa iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it nëntorin e kaluar. Edhe pse organizata terroriste kishte pushtuar më parë zona të mëdha të Sirisë, ekspertët e OKB-së thonë se ajo vazhdon të veprojë në të gjithë vendin, duke synuar forcat e sigurisë, veçanërisht në veri dhe verilindje.

Muajin e kaluar, i dërguari special i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, shprehu shqetësim për sigurinë e Presidentit sirian. Në një intervistë me Al-Monitor, ai tha se përpjekjet e al-Sharaa për të promovuar një qeverisje dhe bashkëpunim më gjithëpërfshirës me Perëndimin mund ta bëjnë atë një objektiv për elementët ekstremistë.

Barak theksoi nevojën për të krijuar një sistem të fortë mbrojtjeje rreth Presidentit, duke deklaruar se interesat e SHBA-së dhe al-Sharaa janë të përbashkëta dhe duke shprehur bindjen se ai po vepron me vendosmëri dhe një strategji të qartë.

Në të njëjtën kohë, dy zyrtarë të lartë zbuluan nëntorin e kaluar se autoritetet siriane kishin penguar dy komplote të ndara të ISIS-it për të vrarë Presidentin, të cilat ishin planifikuar në muajt e mëparshëm.