Një ligj i saktë dhe i qartë shmang abuzimet me pronat
Nga Gjek Celaj
Zoti Ylli Manjani dhe gjyqtari i GJKKO së Apelit, z. Florian Kalaja janë ndër të paktët juristë që prononcohen herë pas here në media rreth problemeve juridike që kanë të bëjnë me interpretime të dispozitave të ndryshme të legjislacionit penal apo civil, si dhe për praktika aktuale hetimore dhe gjyqësore. E mira e vendit dhe e popullit do ta donte që numri i juristëve që shprehin mendimet dhe gjykimet e tyre në fushën e së drejtës të ishte shumë më i madh. Prandaj, të dy zotërinjtë meritojnë respekt për angazhimin e tyre.
Për njerëz që merren çdo ditë me problemet juridike, apo qytetarë shqiptarë si puna ime, të cilëve iu ka takuar për një kohë të gjatë të ndeshen me problemet e së drejtës në zyrat shtetërore dhe ato gjyqësore, nuk është e vështirë të konstatohet se ka jo pak dispozita ligjore, në fushën penale dhe atë civile, ashtu si edhe në projektin e Kodit të Ri Penal, të cilat janë ambige (me dy ose më shumë kuptime dhe hapësira për interpretime dhe keqinterpretime). Një gjë e tillë, e cila tregon papjekurinë e duhur profesionale dhe papërgjegjshmërinë institucionale të ligjbërësve, iu ka dhënë dhe iu jep mundësinë zyrtarëve të paaftë juridikisht dhe të pandershëm qytetarisht, qofshin në administratën shtetërore apo pushtetin gjyqësor, të “manovrojnë” me keqinterpretime dhe zbatim të gabuar të legjislacionit në fuqi. Në këtë mënyrë, pasojat kanë rënë dhe vazhdojnë të bien mbi qytetarët shqiptarë, duke iu shkelur atyre pafundësisht të drejtat kushtetuese. Personalisht kam pasur 4-5 raste që, pas vendimeve administrative apo gjyqësore të gabuara, të mbështetura mbi keqinterpretime ligjesh dhe dispozitash të veçanta, në fund janë marrë vendime të drejta që kanë shërbyer edhe si precedentë gjyqësorë. Mirëpo, kostoja morale dhe materiale e sorollatjeve dhe shkeljes së të drejtave kushtetuese ka qenë dhe mbetet e madhe. Duhet të theksoj se administrata e sotme shtetërore ka, në përmasa shqetësuese, paaftësi profesionale dhe papërgjegjshmëri morale kur vjen puna për trajtimin e kërkesë-ankesave të qytetarëve shqiptarë.
Në një shkrim të botuar kohët e fundit në gazetën “Tema”, z. Manjani ngre alarmin rreth veprimeve të SPAK dhe GJKKO në vendosjen e masave të sigurimit siç janë sekuestrot konservative dhe preventive mbi pasuri që, formalisht, janë blerë në rrugë ligjore nga blerësit, por kanë rezultuar ose besohet se kanë origjinë të paligjshme. Z. Manjani shprehet se “Problemi fillon kur sekuestro vendoset edhe ndaj pasurisë së personave të tretë, të cilët janë blerës të pronës me mirëbesim. D.m.th, që ta thjeshtoj edhe pak, ti ke blerë një pronë rregullisht, me noter, kadastër dhe me pagesë të rregullt në bankë, por meqë ai/ajo që ta shiti pronën është vënë nën hetim dhe i është sekuestruar prona, sekuestrohet edhe prona që ti ke blerë. Sepse ja ke blerë kriminelit, i cili gjithsesi nuk është dënuar ende..”. Dhe vazhdon: “Këtu fillon një kalvar i gjatë procedural, sepse ti e merr vesh rastësisht që të është bllokuar prona. As njoftim zyrtar nuk të bëjnë!!!! Sidoqoftë, pasi e merr vesh shkon në gjykatën penale që po gjykon personin nën hetim, ku kërkon të legjitimohesh si person i interesuar, me idenë që të sqarosh hetimin dhe gjykimin aty se je pronar i ligjshëm dhe, se nuk ke dijeni mbi aktivitetin kriminal të shitësit. Gjykata penale masivisht refuzon të pranojë këto persona, të cilëve u thuhet shkoni në gjykatë civile dhe kërkojini shitësit tu kthejë lekët. Kulmi! Të kanë marrë pronën dhe të thonë shko e merrja atij që është në burg që s’ka më as pleshta!!! Ndërkohë ti nuk ke konflikt civil me shitësin, por me gjykatën penale dhe prokurorinë, sepse pronën po ta marrin ata. Po kush të dëgjon!!!”.
Në këto pohime të z. Manjani ka vetëm një gjë që meriton të ndreqet: Në raste të tilla, personat që formalisht e kanë blerë pronën në mënyrë të ligjshme duhen njoftuar, por njoftimin duhet ta bëjë zyra e kadastrës së cilës i shkon vendimi gjyqësor i sekuestros dhe ajo është e detyruar ta zbatojë. Pronat e blera, në mirëbesim apo keqbesim, kur shitësi nuk ka qenë pronar i ligjshëm i tyre, nuk i përkasin më blerësit, por pronarit të ligjshëm. Në nenin 166 të Kodit Civil thuhet se ” … Fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar i sendit kur ky është i vjedhur…”. Nuk është e vërtetë ajo që thotë z. Manjani se blerësi e ka konfliktin me prokurorinë apo gjykatën dhe jo me shitësin. Konfliktin e ka krijuar shitësi, i cili i shet dikujt një pronë që s’është e veta, pra, mashtron ligjin dhe blerësin. Konfliktin nuk e krijon pushteti gjyqësor që ndjek shitësin penalisht dhe kërkon rivendosjen e të drejtës (normës juridike) të shkelur.
Përveç shumë vendimeve të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, dhe Kolegjeve të Bashkuar të asaj gjykate, ky parim pohohet dhe sqarohet shumë mirë edhe në Vendimin Nr.438 datë 11.10.2011 të Kolegjit Civil, ku thuhet: “Referuar të drejtës tonë materiale, që të plotësohen kushtet e fitimit të pronësisë në mënyrë të prejardhur, siç është fitimi i pronësisë me kontratë bazuar në nenin 164 të Kodit Civil, është e domosdoshme që tjetërsuesi i pronës të jetë pronar i ligjshëm i saj, dhe pronar i ligjshëm nënkupton që titulli i pronësisë së tij të jetë i pacenueshëm dhe përfundimtar. Kështu, në rast se tjetërsuesi nuk është pronar i sendit, pronari i ri nuk mund të fitojë asnjë të drejtë mbi sendin. Vlen parimi antik, sipas të cilit asnjëri nuk mund t’iu transferojë të tjerëve më shumë të drejta sa ka ai vetë (Nemo plus iuris transferre potest quam ipse habet – Gj. C.). Edhe sikur pala blerëse të ketë qenë në kushtet e mirëbesimit të plotë në kryerjen e këtij veprimi juridik, ky fakt nuk ndihmon për të bërë të vlefshëm veprimin juridik (kontratën e shitjes), pasi, referuar të drejtës tonë materiale, një veprim juridik i cili vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit është absolutisht i pavlefshëm dhe, si i tillë, ai nuk sjellë pasojat juridike që synojnë palët. Për pasojë ai nuk ka fuqinë e një veprimi juridik të vlefshëm dhe as mund të rregullohet më vonë, por pala që ka qenë në mirëbesim në kryerjen e këtij veprimi juridik, ka të drejtë të kërkojë restitucionin e njëanshëm, i cili do të thotë që të kërkojë nga pala fajtore t’i kthejë çdo gjë që i ka dhënë asaj në përmbushjen e veprimit juridik të pavlefshëm… Referuar të Drejtës sonë Civile, çdo veprim juridik i kryer mbi bazën e veprimeve juridike absolutisht të pavlefshme është absolutisht i pavlefshëm, për arsye se veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm nuk mund të rregullohet dhe nuk mund të bëhet i vlefshëm as më vonë dhe as me veprime të tjera të mëpasshme. Veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ka ekzistuar dhe nuk është kryer asnjëherë, prandaj çdo veprim i mëvonshëm ka të njëjtat pasoja”.
Kjo gjë nuk është as “kulmi” dhe as “në kundërshtim me Kushtetutën”, siç pohon z. Manjani, pasi prona realisht i përket subjektit që ishte pronar i saj përpara se të tjetërsohej nga shitësi. Ajo që juristët duhet të kërkojnë, siç e theksova në fillim, është përcaktimi i saktë dhe i qartë i dispozitave ligjore, në mënyrë të tillë që të mos lënë shteg për keqinterpretime dhe të shkurtojnë, sa të jetë e mundur, kohën e kthimit të sendit në gjendjen e mëparshme juridike ku ndodhej përpara tjetërsimit të paligjshëm. Për shembull, në nenin 217/3 të Kodit aktual të Procedurës Penale thuhet se “Pasi vendimi merr formë të prerë, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë…”. Shtrohet pyetja: Kujt i takojnë sendet e sekuestruara? Pse duhet që pronari i ligjshëm t’i drejtohet edhe një herë gjykatës në rrugë civile, kur mund dhe duhej të thuhej në ligj se “Gjykata, në vendimin e saj penal, pavarësisht nëse kërkohet apo jo nga palët, duhet të urdhërojë që sendet e sekuestruara të kalojnë menjëherë në gjendjen e tyre juridike përpara tjetërsimit të paligjshëm”.
Në rastet që kam ndeshur unë, por edhe në dhjetëra raste të tjera, në praktikën hetimore dhe gjyqësore ka qenë e vështirë të provohet nëse blerësi ka vepruar në mirëbesim apo keqbesim. Në rastet e mija, megjithëse blerësit e dinin origjinën e paligjshme të pronës së “blerë”, pohonin se nuk kishin pasur dijeni, megjithëse ishin familjarë të tjetërsuesve.
Parimi që sillet në vendimin e mësipërm të Gjykatës së Lartë është i drejtë sepse, përndryshe, nëse dikush tjetërson me dokumente të paligjshme një vilë, pronarët e së cilës ndodhen jashtë vendit, apo dikush tjetër bëhet me dokumente të paligjshme “pronar” i një shkolle, dhe këta “pronarë” i shesin më vonë “në mirëbesim” vilën për banim, apo shkollën për hotel, atëherë pronari real i vilës apo shteti si pronar i shkollës publike do të zhvisheshin nga pronësia e ligjshme. Pse duhet që pasojat më të rënda dhe afatgjata t’i vuajnë pronarët e ligjshëm, të cilëve iu janë tjetërsuar pronat?
Dispozitat e sakta dhe të qarta juridike krijojnë premisa për vendime të qarta gjyqësore dhe, kështu, edhe organet administrative, sidomos Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila nga qendra në rrethe është profesionalisht e mjerë dhe moralisht e kalbur, nuk do të kenë mundësi të keqinterpretojnë dhe keqzbatojnë vendimet gjyqësore që lidhen me pronësinë, duke iu shkelur qytetarëve të drejtën e tyre kushtetuese.




















