Nga sheshi i protestës së Adriatik Lapajt nuk i ka rënë rruga asnjë ditë Arlind Qorit. Jo për mungesë interesi ndaj revoltës qytetare, por sepse, siç thotë vetë, nuk ka asgjë për të ndarë politikisht me të. Për Qorin, Lapaj nuk përbën një personazh me të cilin mund të ndërtohet bashkëveprim politik dhe kjo ndarje nuk është personale, por thellësisht parimore. Në një intervistë për Tema, drejtuesi i Lëvizjes Bashkë e bën të qartë se koha ka provuar drejtësinë e refuzimit të çdo bashkëpunimi me forca apo parti që nuk japin besim publik. “Lëvizja Bashkë nuk mund të bashkëpunojë me subjekte që nuk mbajnë standarde morale dhe politike. Koha tregoi se kishim të drejtë”, thotë ai.
Qori shprehet i gatshëm për debat intelektual me figura si Ermal Hasimja, por refuzon prerazi çdo ftesë për bashkëpunim opozitar. “Do të shkoja me kënaqësi në një debat intelektual me Ermal Hasimen, por ftesës së tij për bashkëpunim i thashë jo”, shprehet Qori, duke e lidhur këtë refuzim drejtpërdrejt me arsyet pse i ka thënë jo edhe tryezave të iniciuara apo të lidhura me Sali Berishën.
Sipas tij, edhe nëse këto tryeza nuk janë të nxitura drejtpërdrejt nga Berisha, ato zhvillohen për llogari të tij. “Në këto kushte, Lëvizja Bashkë nuk e pranon një ftesë të tillë”, thekson ai. Për Arlind Qorin, ndarja me Partinë Demokratike të Sali Berishës dhe Partinë Socialiste të Edi Ramës është themelore e pandryshueshme. “Na ndajnë parimet, na ndan morali, na ndan gjithçka. Nuk do të jemi kurrë në një aleancë me ta”, deklaron ai, duke e pozicionuar Lëvizjen Bashkë jashtë logjikës së pazareve tradicionale të politikës shqiptare. Në këtë kontekst, Qori shpreh edhe njëfarë çudie për qëndrimin e Agron Shehajt dhe Partisë Mundësia. Duke iu referuar të shkuarës së Shehajt brenda PD-së, ai e sheh refuzimin e tij edhe si një llogari politike, por që mbetet kontradiktore në raport me retorikën e deklaruar.
Kreu i Lëvizjes Bashkë flet për tri mënyra të mundshme për rrëzimin e qeverisë Rama. Ai mohon në çdo rast versionin e bashkëpunimit opozitar si rrugë reale ndryshimi, që do të ishte njëra mënyrë. Një mundësi, sipas tij, është shpërthimi i një revolte spontane popullore; gjithashtu mbetet kriza e brendshme e pushtetit që pasohet gjithashtu me një skenar revolte. Ndërsa rruga e tretë, të cilën e konsideron më të mundshmen, është një protestë–revoltë e organizuar nga vetë Lëvizja Bashkë, për të cilën po përgatiten dhe pikërisht për momentin aktual politik që është debati për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Balluku.
“Lëvizja Bashkë po përgatitet për një revoltë popullore kundër korrupsionit qeveritar”, thotë Qori, duke nënvizuar se ky moment lidhet drejtpërdrejt me fazën më delikate politike për kryeministrin Rama: momentin kur mazhoranca duhet të shprehet për imunitetin e zëvendëskryeministres së akuzuar për korrupsion.
I pyetur për një mungesë të gjatë të reagimit popullor kundër qeverisë, Arlind Qori e kërkon shpresën për revoltë te kujtesa historike. Protesta e 20 shkurtit 1991 mbetet për të një frymëzim, jo si nostalgji, por si dëshmi se ndryshimi vjen kur qytetarët thyejnë frikën dhe kapërcimin e rremë institucional.
Ai paralajmëron se shtyrja procedurale e çështjes së imunitetit të Ballukut mund ta “djegë” momentin e revoltës, ndërsa arroganca e mazhorancës për t’i bërë bashkë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit vetëm sa thellon krizën e besimit publik. Në një realitet politik të mbërthyer nga pazaret dhe riciklimi i figurave, Arlind Qori tenton të ndërtojë një rrugë tjetër: jashtë tryezave, jashtë aleancave të konsumuara dhe në përballje të drejtpërdrejtë me pushtetin, në emër të një revolte që ende kërkon momentin e vet historik.




















