Nga Hermes Kafexhiu
Ka audio që zbardhin ngjarje dhe ka audio që zhveshin pushtetin. Regjistrimi i seancës së 1 shkurtit në GJKKO nuk është provë penale, por provë institucionale e një drejtësie që po e ngatërron ligjin me nervin personal.
Në atë sallë gjyqi, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk u kufizua në rolin e akuzës. Ai mori përsipër të vendosë se kush ka të drejtë të flasë dhe kush jo. Sipas tij, i pandehuri dhe mbrojtësit e tij “nuk përfitojnë nga e drejta për të shprehur kërkesat”. Një fjali që nuk kërkon koment juridik, sepse është vetë një akt rrëfimi për mënyrën si po konceptohet drejtësia.
Që nga ai moment, procesi pushon së qeni penal dhe merr trajtën e një përballjeje personale. Jo midis ligjit dhe të pandehurit, por midis pushtetit dhe kujtdo që refuzon të heshtë.
Skandali thellohet me prokurorin Ols Dado, i cili e sheh mbrojtjen juridike si rrezik. Sipas tij, fakti që Veliaj po lobon dhe po informon partnerët ndërkombëtarë për shkeljet e procesit, përbën arsye për izolim. Me fjalë të tjera: i pandehuri duhet të mbrohet vetëm aq sa nuk bezdis akuzën.
Në këtë përmbysje logjike, burgu nuk është më masë e fundit, por mjet disiplinimi. Jo për të parandaluar arratisjen apo prishjen e provave, por për të ndëshkuar ekspozimin publik. Transparenca shndërrohet në faj dhe fjala në rrezik procedural.
Kjo audio nuk është një incident i rastësishëm. Është sinjal. Një drejtësi që shqetësohet nga drita, nuk ka problem me errësirën. Dhe kur mbrojtja trajtohet si provokim, skandali nuk ndodh papritur. Ai ishte i paralajmëruar.




















