Mes spektaklit të tifozëve Barrikada zbret në fushë, tregon forcën e karakterit, merr tre pikë dhe e mbyll e para fazën në grupe të “Sunday Leage” pas 15 javëve kampionat.
Bejzade dhe Berberi i japin fitoren skuadrës së Bibës duke ngritur peshë afro 100 tifozë të cilët festën e kishin paralajmëruar që para fillimit të takimit me atmosferën e krijuar.
Nisur edhe nga pozicionet në renditje takimi mes Barrikadës dhe Alpha CrossFit konsiderohej si sfidë e nxehtë dhe e tillë rezultoi në fushën e lojës, ku me po të njëjtin nerv u pasua edhe nga tifozeria.
Fusha e lojës prodhoi raste, gola, karton të kuq dhe në fund fiton BARRIKADA.
Ndeshja nis me inkursione të skuadrës së Barrikadës e cila që në minutat e para tregon se ka ardhur për ta zhvilluar këtë sfidë vetëm me një kusht: Fitoren.
Nuk vonon shumë dhe në minutën e 8′ ekzekutimi i goditjes së dënimit të fituar në krahun e majtë përkthehet në gol nga mesfushori Bejzade. Barrikada në avantazh dhe tifozeria shpërthen në festë.
Alpha përpiqet të reagojë por me gardianin Blloshmi në lartësinë e duhur që pret çdo top drejt kuadratit dhe me Shetën, Sallufin, Giçin e Gjokën të cilët mbyllin çdo hapësirë, shpresat e kundërshtarit për barazim veniten minutë pas minute.
I kudogjenduri Neli nga ana tjetër, motorri i ekipit, tenton të mbyllë në mesfushë çdo aksion të iniciuar nga kundërshtari.
Nuk mungon as Bakaj, benjamini i ekipit veç triblimeve dhe inkursioneve nga krahët jep hera – herës shkëndija se Barrikada nuk mjaftohet me një gol.
Ndërhyrjet e ashpra të kundërshtarit ndaj Berberit dhe mosndërhyrja e arbitrit kalojnë tensionin e ndeshjes nga fusha e gjelbër në shkallët e tifozerisë irritimi i të cilëve solli edhe eskalim të situatës.
U desh ndëryrja e kapitenit Sallufi që të evitohej një përplasje mes tifozerive kundërshtare dhe rifillonte ndeshja.
Pjesa e dytë nis më e qetë megjithëse të dy ekipet tentojnë golin.
Minutën e 54′ një aksion pa pretendime i Alphas i kushton kartonin e kuq ekipit të Barrikadës.
E gjithë situata e krijuar buron nga një mosmarrëvrshje e mbrojtësit Xhimi me portierin Susko i cili nuk sinjalizon shokun e ekipit se pas shpine ka sulmuesin kundërshtar i cili i vjedh kohën.
Teksa tenton të futet në zonë Xhimi kap prej fanelle kundërshtarin, gjyqtari akordon goditje dënimi dhe nxjerr kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin e Barrikadës.
Për teknikun Biba gjërat komplikohen. Megjithatë interpretimi që i bën ndeshjes tregon shumë për profesionizmin dhe menaxhimin e ndeshjeve të tilla.
Zëvendësimi i Bakajt me Mehmetllarin habit çdokënd teksa me një lojtar më pak dhe në avantazh Biba zgjedh të aktivizojë një tjetër sulmues.
Numri 9 bëhet basti i fituar i Bibës i cili inkursionin në minutën e fundit e përkthen në asist për Berberin që dërgon topin në rrjetë.
Një golë që i vë vulën fitores dhe blindon vendin e parë me 40 pikë.
MBYLLJA E NJË NDESHJE DHE FAZE TË SUKSESSHME
Fillimisht duhet theksuar se forca e grupit karakterizon ekipin e Barrikadës. Asnjë mbi të tjerë, të gjithë të barabartë mes të barabartëve.
Lorenc Sallufi
Lider. Ndërhyrje vendimtare në jo pak raste. Tregon karakter në momentin e incidentit mes tifozerive. Fjalët e tij rikthejnë normalitetin.
Ardit Biba
I guximshëm. Situata e tensionuar vendos në presion sulmuesin Berberi por për Bibën kjo është provë karakteri. Nuk e zëvendëson, i beson deri në fund dhe shpërblehet me gol.
Arjan Sheta
Udhëheq linjën e mbrojtes, orienton shokët për ruajtjen e pozicioneve “ofside”, padyshim më i miri i kampionatit në mbylljet një për një me kundërshtarin.
Gjoka dhe Neli
Vrapojnë pafund, mbyllin çdo hapësirë dhe nxjerrin ekipin në jo pak raste në kundërsulm
Klaudio Blloshmi (Susko)
I pamposhtur! Neutralizon çdo goditje drejt portës. Shpëton portën në të paktën tre raste flagrante.




















