Komisionerja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos ka deklaruar se Bashkimi Evropian mund të ndalojë fondet prej 1.6 miliardë eurosh kredish dhe grantesh për Serbinë. Kjo deklaratë e Kos vjen pasi Beogradi sipas saj miratoi ligje që po gërryejnë besimin në angazhimin ndaj sundimit të ligjit.
“Këto ndryshime po gërryejnë besimin. Po bëhet më e vështirë për ata në Bruksel që janë të gatshëm të përparojnë me Serbinë të paraqesin çështjen e tyre”, tha Kos për Reuters.
Kos tha se komisioni po shqyrtonte financimin për Serbinë sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që synon përafrimin e rajonit me rregullat e BE-së dhe në fund të fundit sjelljen e vendeve si Serbia në bllok.
Serbisë iu ndanë 1.6 miliardë euro kredi dhe grante sipas programit. Kos tha se këto fonde përmbajnë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit.
Serbia filloi bisedimet zyrtare për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2014, por korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë ngadalësuar progresin.
Reformat gjyqësore përfshijnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve publikë dhe dhënien e kryetarëve të gjykatave kompetencave më të mëdha mbi gjyqtarët. Kritikët kanë frikë se reformat do të dëmtojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe do të rrezikojnë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të mbikëqyrura nga Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar.
Ministria serbe e drejtësisë ka thënë se ligjet e reja do ta bëjnë gjyqësorin më efikas duke përmirësuar procesin e vendimmarrjes.




















