Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë këtë të martë në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, pas shpërndarjes së protestuesve nga forcat e policisë.
Berisha ka denoncuar ashpër veprimet e policisë gjatë protestës, duke i cilësuar uniformat blu si “banditë dhe kriminelë me uniformë” që, sipas tij, kanë sulmuar qytetarët. Ai theksoi se vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve paqësorë janë shumë më të fuqishme se çdo akt dhune i ushtruar ndaj tyre.
Sipas Berishës, durimi dhe qëndrimi i qytetarëve nuk duhet të interpretohet si dobësi, por si shprehje e vendosmërisë për të arritur qëllimet e tyre. “Provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë,” u shpreh ai, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe qëndrimin paqësor gjatë protestës.
Në të njëjtën deklaratë, kreu i PD-së njoftoi se protesta e radhës do të mbahet më 20 shkurt, duke paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar kundër qeverisë.




















