Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për mediat se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të paraburgosurve në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, duke e cilësuar situatën si “një dhunim të tmerrshëm të lirive dhe të drejtave të njeriut”.
I pyetur nga gazetari Isa Myzyraj në lidhje me një editorial të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për çështjen e paraburgimit, Berisha tha se nuk e kishte lexuar komentin, por shtoi se problematika e paraburgimit në vend është alarmante.
Sipas tij, Shqipëria ka një përqindje të të paraburgosurve “500 përqind më të lartë se vendet e BE-së”, duke e lidhur këtë me mungesën e një procesi të rregullt ligjor për qytetarët.
“Shkaku më themelor i kësaj përqindjeje qëndron në mungesën reale të procesit ligjor. Para dy muajve në parlament u raportua se çdo gjykatës ka mesatarisht 1230 vendime të pazbardhura,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se vendimet e pazbardhura nënkuptojnë se qytetarët qëndrojnë në qeli pa pasur mundësi të apelojnë, pasi vendimi nuk është zbardhur dhe nuk mund të ndiqet procedura ligjore.
“Çdo gjykatës ka personalisht 1 mijë vendime të pazbardhura. Kjo është situata më katastrofale. Nuk ka vend tjetër me një gjendje të tillë,” deklaroi ai.
Në vijim, Berisha solli edhe një rast që lidhet me një efektiv burgu të arrestuar për ryshfet, duke e krahasuar me, sipas tij, mungesën e ndëshkimit për zyrtarë të lartë. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama në raport me dorëheqjet në administratë.
Lidhur me editorialin e Sadushit, Berisha u shpreh: “Se çfarë ka shkruar Sadushi, nuk e kam lexuar.”




















