Analisti Ergys Mërtiri është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha nuk ka konkurrent kryeministrin Edi Rama, por ish-deputetin Ervin Salianji dhe partitë e vogla opozitare.
Komentet Mërtiri i bëri në një lidhje live për ‘Report TV’, ku e cilësoi Berishën si një ‘rrangalle’ të vjetër, që sipas tij është shkaku që po largon votuesit nga PD.
Mërtiri tha gjithashtu se Berisha mbijeton politikisht përmes gjuhës së mllefit që ka injektuar te ndjekësit e tij, duke hedhur akuza të rreme ndaj atyre që ai i cilëson rivalë politikë.
“Opozita e zhgënjyer në një masë të madhe të vetën nuk del të votojë. Berisha i lufton partitë e reja me qëllim që këtë elektorat gri të zhgënjyer me të, ta ndante. Një pjesë ta linte në shtëpi, një pjesë të shkonte të votonte partitë e reja dhe një pjesë e tërhoqi te vetja, pasi të zhgënjyer me të renë, ata shkuan te e vjetra. Kështu ai i dha vota më shumë Edi Ramës, por ruajti ekskluzivitetin mbi opozitën. Sepse Berisha nuk lufton për të mundur Ramën, por lufton për të ruajtur ekskluzivitetin mbi opozitën.
Unë mendoj se nëse Lapaj bashkohet me Berishën, në tërësinë e saj opozita do të humbasë njerëz në shesh. Unë e shoh të pasens një bashkim të tillë, sepse kur ky bashkim nuk bëhet para zgjedhjeve, si mund të bëhet pas zgjedhjeve? Kjo gjë duhet të ishte bërë para zgjedhjeve, por Berisha e prishi këtë sepse i luftoi partitë e vogla, pasi zgjodhi një kod elektoral që të rritet Rama artificialisht dhe të mos rriten këta. Armiqtë e Berishës janë Lapaj, Shehaj dhe Qori. Sepse Berisha nuk ka Ramën rival. Berisha kërkon që t’i fusë këta si të vegjël në sqetullën e vetë. Këta duhet të bashkohen me njëri-tjetrin, por jo me rrangallën e vjetër nga e cila votuesit po ikin.
Berisha sot është një politikan që jeton në sajë të mllefit që ka injektuar te ndjekësit e tij. Zbraz mllefe nëpër rrjete sociale dhe kjo e faktorizon. Nga ana tjetër, teksa flet për bashkime të mëdha të cilat do sjellin përmbysje, lufton këta dhe pikërisht lufton Salianjin. Salianji është problemi kryesor i Berishës. E sulmon Salianjin me teza dhe akuza si i shitur dhe bashkëpunëtor me Ramën, kur e vërteta është se bashkëpunëtor me Ramën është vetë Berisha”, tha mes të tjerash Mërtiri.
















