Nga Jakin Marena
Ka një përpjekje pothuajse titanike nga ana e lidershipit të PD-së për të krijuar idenë apo më saktë perceptimin e një bashkimi të të gjithë spektrit opozitar për ta nxjerrë në shesh në protestë kundër kryeministrit Edi Rama.

Përmes tryezave të njëpasnjëshme, herë nën thirrjen e PD si partia më e madhe opozitare, e herë përmes thirrjes së ish njerëzve të PD të grumbulluar në shoqërisë civile me anim nga Berisha, po kërkohet vendosja e një dialogu të vazhdueshëm mes partive opozitare për të dalë në shesh dhe për të bëreë bashkë opozitë, praktikisht më 10 shkurt sikurse e ka caktuar datën PD!

Por teksa krahason numrin e pjesëmarrësve të liderëve të partive në opozitë në këto tryezat e dialogut me PD, me pjesëmarrjen në protestat e opozitës në vijim në bulevardin qëndror të Tiranës, përballë kryeministrisë, rezultati tregon se janë në përpjestim të zhdrejtë!

Nëse në tryezën e organizuar nga PD, numri i liderëve politikë pjesëmarrës është goxha i lartë, numri i pjesëmarrësve në protestë është në nivele tepër të ulta, çka tregon se në tryezë janë ftuar krerë partish që kanë vetëm kryetarin, vulën dhe logon! Nuk po i përmendim me emra, sepse janë të gjithë tepër publikë, të kuptohemi në sektorin e ‘meme’-ve!

Dhe për të qënë me të vërtetë korrektë me publikun, por dhe me demokratët e thjeshtë fakti është se dialogu me këto parti opozitare është i panevojshëm, sepse kanë qënë gjithnjë pronto, pa pasur nevojë për këto gjërat e vështira edhe për vetë Berishën, siç është dhe dialogu! Pasi sa herë që ka pasur nevojë dhe është gjendur në vështirësi Berisha, ai i ka thirrur me një ‘fishkëllimë’ për çdo lloj aktiviteti politik që ka pasur si emergjencë, dhe i janë përgjigjur menjëherë si ‘raketa’, duke marrë pjesë tek pullë krah tij! Pasi s’kanë anëtarësi!

Nuk duam të biem në përsëritje për të thënë se Berisha, gjithë këtë punën e dialogut me aleatët që s’kanë fare peshë në elektorat e ka thjeshtë e vetëm si kundërpeshë ndaj elementit kundër brenda PD-së, duke filluar me Salianjin dhe përfunduar me ata më të largëtit e shkëputur nga PD, që nga Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Astrit Patozi dhe ish drejtues të tjerë demokratë që kanë mbajtur peshën e drejtimit të PD për vite e vite me radhë e që tashmë janë të përjashtuar ose të ‘vetëpërjashtuar’! Janë dëbuar me një fjalë nga PD prej Berishës, i cili ka mbetur i vetmi aty!

E thënë me fjalë më të thjeshta, Berisha nuk kërkon bashkimin e faktorit opozitar për të rritur peshën elektorale të partisëdhe opozitës që drejton, por për t’u treguar kundërshtarëve brenda PD-së, për momentin Salianjit dhe mbështetësve të tij, se mund të bëjë edhe pa ata, çka tregon se është më se i vendosur për t’u treguar ‘derën’ të gjithë atyre që i rrezikojnë mbajtjen e drejtimit të PD, përmes mbështetjes së fortë në anëtarësinë e partisë! Anëtarësi, të cilën, në prag të zgjedhjeve të prillit të këtij viti për lidershipin e PD, ka vendosur ta ‘filtrojë’ dhe ta ‘pastrojë’ rëndshëm nga të gjithë ata që mendojnë ndryshe e që në një votim të mundshëm të kandidatit përballë Berishës, mund ta ulnin mbështetjen poshtë 90-përqindshit për të!

Me një fjalë, përpos faktit që askush në ‘zonën gri’ të votuesve nuk i beson një lideri politik, i cili përjashton nga partia që drejton figura që kanë peshë e kanë mbështetje në elektorat, ndërsa bën sikur afron e dialogon me liderë subjektesh të tjera politike që nuk kanë kokërr vote dhe që s’ka pse dialogon pasi janë të gatshëm të bashkangjiten në çdo palë zgjedhje pa pasur fare ftesë, ajo që mund të themi është se në PD dhe në opozitën e sotme shqiptare ka diçka që nuk shkon dhe që ‘kërcet’ me të madhe!

E vërteta e kulluar është se përtej akuzave ndaj Edi Ramës se me të kryeministër nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme, apo ‘inkursioneve’ të Berishës sa në Bruksel, sa në Strasburg e deri në Brazil për të nxirë Shqipërinë përmes akuzave për narko-shtet, për fat të mirë atë nuk e merr askush në konsideratë në dhe të huaj madje i presin dhe fjalën në grykë e nuk e lënë të flasë, opozita e drejtuar nga Berisha s’paraqet ‘stof’ pushteti, pra s’është alternativë për pushtet!

Aq shumë ka rënë mbështetja ndaj PD-së dhe opozitës, sa në çdo palë zgjedhje, me gjithë rritjen e numrit të partive aleate rreth partisë më të madhe opozitare, ky front opozitar humbet deri në plus minus 300 mijë vota të djathta, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse! Çdo herë ndodh kjo! Është një bjerrje e fortë dhe totale kjo e opozitës, çka tregon se përballë Ramës, e ka të pamundur të afrohet në rezultat, për fitore nuk diskutohet tashmë, pavarësisht se kjo mazhorancë është në mandatin e saj të katërt rresht, në qeverisje të vendit!

Vetë Berisha, kupola e PD dhe panelistët afër tij kanë nisur të ‘evidentojnë’ fajtorët e rrënimit të PD! Që nga Salianji, që sipas tyre po i shërben Edi Ramës, e deri tek gazetarët dhe shoqëria civile që sipas lidershipit demokrat vijojnë të merren me opozitën e jo me qeverinë, janë ata që përbëjnë dhe listën e ‘fajtorëve’ se përse humb PD e pse nuk ka mbështetje Berisha e lidershipi aktual demokrat! Aq të fiksuar janë në këtë qëndrim, sa nuk durojnë asnjë mendim ndryshe, duke u përplasur me këta zëra. Përplasje këto që kanë habitur demokratët por dhe të gjithë publikun, pasi një opozitë ka nevojë për çdo zë në mbështetje të saj kundër një qeverie që nuk e mund dot, qoftë dhe duke menduar ndryshe nga lideri!

I vetmi që nuk ka faj në këtë dynja, është ai, i papërsëritshmi dhe i pavdekshmi, Sali Berisha! Bashkë me besnikët e tij, që tashmë jo vetëm që flasin njëlloj si ai, ecin sikurse ecën Berisha, bëjnë mimikën e fytyrës po si ai, kërcënojnë po si ai! Të ‘vrasin’ nëse thua një fjalë kundër Berishës, i cili ‘po qëndron fort përballë Ramës’, sipas tyre! Dhe s’ka zgjidhje tjetër për ta!

Kjo situata në PD, me një Berishë të vendosur që të qëndrojë deri në vdekje në krye të PD,e ka thënë vetë se është misionar e misionarin nga misioni vetëm vdekja e ndan, na kujton një hallin e para shumë viteve të një botuesi të njohur të medias së shkruar, i cili, meqë kishte nisur të mos i ecte gazeta, çdo ditë zëvendësonte një gazetar me propozim të kryeredaktorit, por që në asnjë moment s’po gjente karar! Një mendje e thjeshtë, i sygjeroi një ditë idenë, se nuk zgjidhet kjo punë duke larguar e zëvendësuar gazetarët çdo ditë, pasi e keqja me sa duket është në krye! Ndaj i sygjeroi, ndrysho kreun dhe ai kështu veproi! Bëri ndërrimin e kupolës dhe ra vërtetë rehat!

Fakt është se strumbullari i dështimit të PD është vetëm një, Berisha! Të përjashtojë apo të ‘vetëpërjashtojë’ nga PD sa të dojë anëtarë kryesie, deputetë apo këdo zë kundër në këtë parti, PD dhe opozita në tërësi do të vazhdojë rënien ‘pikiatë’ në mbështetje, sikurse po ndodh tash e 13 vite, teksa ka humbur të gjitha përballjet elektorale me kundërshtarin politik, PS dhe Ramën!

E thënë më shqeto, Berisha nuk ndez më more njerëz, ‘baruti’ i tij është lagur me kohë dhe vakt, që me humbjen rrënuese dhe katastrofike në vitin 2013, teksa ra nga pushteti me 1 milionë vota kundër! Me gjithë ‘retushimet’ e herëpashershme që ka bërë, qoftë duke emëruar Bashën në krye të PD, qoftë duke bashkuar forcat opozitare në një grupim të vetëm rreth PD, rezultantja e këtyre lëvizjeve ka qënë një rezultat akoma më i ulët në zgjedhjet e radhës! Pra, sado që është ‘tharë’ herëpashere ‘baruti’, ai tashmë është i skaduar dhe nuk ndez më! Në asnjë rast! Në PD duhet të binden se edhe Berisha ka ‘afat skadence’, dhe kjy afat ka kaluar që në vitin 2013! Janë plot 13 vite që PD merr frymë përmes një ‘malli’ të skaduar, Sali Berishës dhe ecën me ‘drita’ fikur!

Mbi të gjitha që nga viti 2013 kanë ‘rrjedhur’ shumë ujëra! Tashmë as Basha nuk është më në PD, është rikthyer vetë Berisha në krye të kësaj partie! Por ama, ka mbi kurriz dosa akuza të forta dhe dosje të rënda për të cilat është marrë si i pandehur. Ka mbi kurriz dhe shpalljen ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, dhe PD me lidershipin e tij, është në një izolim ndërkombëtar, ku askush nuk e pret në zyrë, asnjë ambasador apo zyrtar i lartë i huaj që vjen në Shqipëri nuk i shkel në zyrë, Berishës! Takojnë deri dhe vartësit e tij në PD, por ama Berishën e refuzojnë! Çka tregon se për ta, megjithëse PD ka rëndësi si forcë opozitare, por sa të jetë në krye Berisha nuk i qaset asnjë ndihmë apo përkrahje ndërkombëtare! Sepse dhe përkrahja e qytetarëve në Shqipëri ka marrë fund me kohë e vakt për PD e udhëhequr nga Berisha! E tregojnë sondazhet, e tregojnë dhe ballafaqimet elektorale, të humbura në masën 100 përqind!

Nuk themi se me largimin tani të Berishës nga drejtimi i PD, do të zgjidhej si me sustë, sa hap e mbyll sytë kriza në partinë më të madhe opozitare. E nënvizojnë se s’ka asnjë gjasë të largohet në të gjallë nga kryetar partie pasi e ka pronë të tij, dhe jemi të bindur për këtë! Me aq ‘fraktura’ dhe rrënim sa është shënuar në PD nga Berisha gjatë tërë këtyre viteve, me pikë kulmore sulmin mbi seli më 8 janar, duhen vite e vite për të mbledhur ‘kockat’ njëherë, pastaj për t’u ringritur e pretenduar për të qënë alternativë pushteti! Por të paktën mund të frenohet gremisja dhe mbi të gjitha të shpëtonte nga pengmarrja! Megjithëse askush nuk e mendon se Berisha do t’ia japë këtë shans PD! Do ta marrë me vete në amëshim, kur ta thërrasë i ‘plotfuqishmi’! Kjo është e sigurtë!