Bill Gates, themeluesi i Microsoft-it dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka pranuar se ka pasur dy lidhje jashtëmartesore me gra ruse.
Ai i bëri këto deklarata gjatë një takimi të brendshëm në Fondacionin Gates, ku gjithashtu kërkoi ndjesë për kontaktet e tij të mëparshme me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, i cili u vetëvra në qeli në vitin 2019.
“Kam pasur lidhje, një me një lojtare ruse të lojës bridge që e takova në evente të tilla, dhe një me një fizikane bërthamore ruse që e takova përmes aktiviteteve të biznesit”, u tha ai punonjësve, citon The Times.
Miliarderi shfaqet shpesh në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me Epstein. Dokumentet sugjerojnë se ata u takuan disa herë edhe pas dënimit të Epstein-it në vitin 2008.
Gates tha se e kishte takuar për herë të parë Epstein-in në vitin 2011 dhe ishte i vetëdijshëm për “një periudhë 18-mujore” që kufizonte udhëtimet e tij, por pranoi se nuk kishte hetuar siç duhet të kaluarën e financierit.
Në një regjistrim të siguruar nga The Wall Street Journal, ai u tha punonjësve se ishte një “gabim i madh të kaloja kohë me Epstein”, por se “kurrë nuk kam kaluar kohë me viktima”.
“Nuk kam bërë asgjë të paligjshme. Nuk kam parë asgjë të paligjshme”, tha ai.
Ai vazhdoi të takohej me të dënuarin për krime seksuale, pavarësisht se Melinda French Gates, bashkëshortja e tij e atëhershme, shprehu shqetësime për këtë në vitin 2013. “Për t’i dhënë merita, ajo gjithmonë ishte disi skeptike për çështjen Epstein”, tha Gates.
Themeluesi i Microsoft-it tha se e kishte parë Epstein-in deri në vitin 2014 dhe kishte fluturuar me avion privat me të, por “kurrë nuk ka qëndruar gjatë natës” apo vizituar ishullin e Epstein.
Kërkesa për ndjesë erdhi disa javë pasi Departamenti i Drejtësisë publikoi dokumente të reja, të cilat duket se përmbajnë email-e të draftuara nga vetë Epstein, ku pretendohej se Gates planifikonte t’i jepte gruas së tij antibiotikë pa dijeninë e saj, nga frika se mos kishte marrë një infeksion seksual nga prostituta ruse.
Një zëdhënës i Gates i quajti pretendimet “absolutisht absurde dhe krejtësisht të rreme” dhe një përpjekje nga Epstein për ta “futur në kurth dhe për të shpifur” ndaj Gates.
Të martën Gates tha se ish-këshilltari i tij shkencor, Boris Nikolic, i cili gjithashtu ishte afër Epstein-it, e dinte për dy lidhjet e tij dhe ia kishte treguar Epstein-it. Ky i fundit më pas duket se përdori këtë informacion për lidhjen me lojtaren e sportit bridge për ta kërcënuar Gates-in pasi ai refuzoi të merrte pjesë në një fond bamirësie të ri që Epstein po përpiqej të krijonte.
Gates pranoi para stafit vështirësinë që lidhjet e tij me Epstein-in mund të kenë mbi punën e tyre në të ardhmen. “Kjo është padyshim e kundërta e vlerave të fondacionit dhe e qëllimeve të tij”, tha ai.




















