Në fjalimin e tij në Bordin e Paqes, kryeministri Edi Rama solli në vëmendjen botërore gjyqin në Hagë ndaj 4 ish-liderëve të UÇK-së, për të cilët prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg. Rama kërkoi nga presidenti Trump të bëhet diçka përpara se gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.

DritareTV doli në terren dhe pyeti qytetarët se si e panë fjalimin e Ramës në arenën ndërkombëtare.

Disa qytetarë e cilësuan fjalimin një arritje të rëndësishme dhe një moment krenarie për Shqipërinë.

“Arritje shumë e mirë. Është rast i rrallë. Na bëri krenarë. Ai luajti rolin e shqiptarizmit dhe vuri në dukje që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e denjë,” u shpreh një qytetar, duke e quajtur Ramën “një nga politikanët më të mirë që ka parë Shqipëria në arenën ndërkombëtare”.

Të tjerë vlerësuan faktin që kryeministri ngriti në një forum global çështjen e gjyqit në Hagë dhe dënimet e kërkuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Gjeti rastin dhe e shfrytëzoi shumë mirë. Ajo që duhet të bënte Kosova, e bëri Rama,” tha një tjetër qytetar.

Disa qytetarë u shprehën skeptikë për ndikimin real të një fjalimi të tillë dhe theksuan se Shqipëria duhet të fokusohet më shumë te problemet e brendshme.

“Ne duhet të mendojmë për vendin tonë. Kosova ka qeverinë e vet dhe i zgjidh vetë gjërat. Nuk e dimë nëse ata janë në rregull apo jo përderisa janë në gjyq, ka një arsye,” tha një qytetare.

Një tjetër qytetar u shpreh se, ndonëse fjalimi ishte i mirë, nuk është e qartë sa ndikim mund të ketë:
“Mirë që foli, por duhet parë nëse do të ketë ndikim.”

Pavarësisht ndarjes së mendimeve, shumë qytetarë ranë dakord se ishte e rëndësishme që çështja të përmendej në një forum ndërkombëtar dhe që Shqipëria të mbante një qëndrim.

“Bravo i qoftë, e nderoi Shqipërinë dhe kombin. Gjeti momentin e duhur,” tha një qytetar./E.P-dritare.net